OKB: Si pasojë e luftës në Ukrainë, çmimet e produkteve janë rritur për 30%
19.05.2022 14:28
Bota mund të përballet me mungesë globale të ushqimit nëse lufta në Ukrainë...

Bota mund të përballet me mungesë globale të ushqimit nëse lufta në Ukrainë vazhdon të pengojë eksportin që ishte para luftës. Më të prekura nga mungesa e furnizimit me ushqime janë vendet e varfra. Sipas Kombeve të Bashkuara, çmimet e ushqimeve janë pothuajse 30 për qind më të larta se një vit më parë.
“Rusia duhet të lejojë eksporte të sigurta të grurit të depozituar në portet e Ukrainës. Mund të kërkohen edhe rrugë alternative të transportit. Ushqimi dhe plehrat artificiale ruse duhet të kenë qasje të pakufizuar në tregjet botërore.”,- tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Blinken: ShBA-të 2.3 miliard dollarë për ndihmë urgjente
Sekretari amerikan i shtetit thotë se vendet me rezerva të konsiderueshme drithërash dhe plehrash, si dhe ato me burime financiare duhet të rrisin ndihmën.
"Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar tashmë më shumë se 2.3 miliardë dollarë fonde të reja për ndihmë urgjente në ushqim për të përmbushur nevojat globale humanitare të paraqitura nga invazioni rus në Ukrainë.",- theksoi sekretari i shtetit, Antony Blinken.
Bisli: Putin, nëse ka zemër të hapë portet
Konflikti ruso-ukrainas ka ndërprerë eksportet nga portet ukrainase përmes të cilave bota furnizohej me vaj luledielli, drithëra, misër dhe grurë. Programi Botëror i Ushqimit i kërkon Rusisë të rihapen portet.
“I kërkoj presidentit Putin, nëse ka fare zemër, të hapë portet. Të bindim të gjithë të prekurit se mund ti ushqejmë më të varfrit dhe të shmangim urinë siç bëmë në të kaluarën, kur vendet në këtë hapësirë u bashkuan në thirrjen për të parandaluar katastrofën.”,- deklaroi drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, Dejvid Bisli.
Për shkak të krizës ekonomike, rritja globale e ekonomisë ra nga 4 në 3.1 për qind. Projeksionet janë të ndryshme për ekonomitë më të mëdha të botës, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Kinën dhe shumë vende në zhvillim. Përveç çështjes së furnizimit me ushqime, Evropa problem të theksuar e ka furnizimin me gaz natyror dhe naftë, por autoritetet evropiane po bëjnë përpjekje për tu pavarësuar nga gazi rus.
GYLTENE SINANI
