Maqedoni
Përurohet rruga “Ukshin Hoti” në Shkup, mbahet ekspozitë për veprimtarinë e Hotit
19.05.2022 15:00
Me emrin e veprimtarit dhe të kolosit të mendimit politik shqiptar, Ukshin Hoti...

Me emrin e veprimtarit dhe të kolosit të mendimit politik shqiptar, Ukshin Hoti u emërtua një nga rrugët më të frekuentuara të Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Kjo rrugë do të mbajë gjallë kujtesën për ideologun e kauzës kombëtare, i cili edhe pas 23 viteve nga zhdukja e tij fizike, vazhdon të na frymëzojë me vizionin e tij politik dhe intelektual, u tha nga të pranishmit në përurimin e rrugës “Ukshin Hoti”.
“Ju shpreh falënderim dhe mirënjohje të gjithë atyre që u angazhuan për emërtimin e rrugës “Ukshin Hoti” këtu në Çair.”,- tha motra e Ukshin Hotit, Myrvete Hoti.
“Është nder për Shkupin, për RMV-në që Ukshin Hoti fabrika e të menduarit jo vetëm për kombin e vet por për të gjithë kombet e shtypura. Ukshin Hoti ka aktivitete të dendura në vendet e Afrikës ku popujt ishin të shtypur, ka aktivitete të dendur për të gjithë popujt e Jugosllavisë që dirigjoheshin nga Beogradi dhe ka veprimtari në orientimin politik dhe strategjik të shqiptarëve që në rininë e tij, që si të arrimë më me strategji të përpunuar deri në çlirimin dhe realizimin e aspiratave të shqiptarëve.”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Ukshin Hoti është një nga gjashtëdhjetë e gjashtë emrat e rinj me të cilat janë riemëruar rrugët e komunës së Çairit, në mesin e të cilave janë shumë figura të shquara që do të lënë gjurmë të përhershme për gjeneratat e reja.”,- u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
“Shpresojmë se në të ardhmen qendrat studimore në Shkup, Prishtinë e Tiranë do të përqendrojnë një vëmendje më të madhe ndaj kësaj figure sepse ai meriton të jetë referencë kryesore e mendimit filozofik politik shqiptar.”,- tha drejtori i ITKSH-së, Skender Asani.
“Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka sjellë ekspozitën këtu për ta parë qytetarët e Shkupit dhe është përgatitur vitin e kaluar me rastin e 40 vjetorit të demonstratave të vitit 1981 dhe për herë të parë kjo ekspozitë është hapur në Tiranë në qershor, në muajin korrik në Prishtinë dhe Shkupi është qendra e tretë ku po hapim ekspozitën.”,- deklaroi drejtori i Agjencisë së Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj.
Njëherit Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës shpalosi ekspozitën kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Ukshin Hotit, të emëruar bëje ose vdis në bashkëpunim me ITKSh-në dhe nën patronazhin e komunës së Çairit.
FLUTURA LATIFI
