Maqedoni

Gir: Negociata me Shkupin dhe Tiranën, sa më shpejtë

19.05.2022 15:20

Negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të fillojnë sa më shpejtë që të jetë e mundur.....

Negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të fillojnë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Nxisim të gjitha përpjekjet për realizimin e këtij qëllimi. Kështu deklaroi shefi i Delegacionit të BE-së në vend, Dejvid Gir, para hapjes së panel diskutimit në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës. Ai theksoi se nuk dëshiron të hyjë në debat me afate, por shtoi se duhet të bëhen përpjekje maksimale për realizimin e qëllimit.

“Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet, të bëhen përpjekje maksimale për të arritur qëllimin, hapje e negociatave sa më shpejtë që është e mundur kjo është në interesin e të gjithëve. Tani të shohim progres në procesin e reformave si pjesë e procesit të anëtarësimit.”,- tha shefi i delegacionit të BE-së, Dejvid Gir.
 
Holstein: Shtetet nga rajoni i përkasin BE-së
 
Ambasadorja gjermane, Anke Holstein, tha se vendet e rajonit i përkasin BE-së.
 
“Kancelari gjerman mëngjesin e sotëm në deklaratën e qeverisë tha se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së. Ky është mesazhi që i duhet rajonit. Ai shtoi gjithashtu se situata gjeopolitike është më urgjente se kurrë dhe ky është një synim strategjik edhe për Gjermaninë. Qeveria gjermane mbetet e përkushtuar.”,- u shpreh ambasadorja e Gjermanisë, Hanke Holstein.
 
Mariçiq: Bullgaria të shtrijë dorën dhe të heq bllokadën
 
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariqiq, duke kërkuar nga Sofja zyrtare të mos e pengojë fillimin e bisedimeve të vendit me BE-në theksoi se autoritetet në Bullgari tani kanë një mundësi historike për të ndërtuar një urë besimi dhe miqësie. 
 
“Ne presim që në baza parimore, duke mbrojtur interesat dhe dinjitetin tonë, të hiqen mosmarrëveshjet për kornizën negociuese dhe çështje të tjera, në mënyrë që të hapim konferencën e parë ndërqeveritare dhe kështu të fillojmë procesin e negociatave të paraqasëse të anëtarësimit.”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariqiq.
 
Ndryshe, Bullgaria në prag të samitit të BE-së dhe ende mban qëndrimin se vendi ynë nuk i ka përmbushur ende kushtet e marrëveshjes për miqësi.
 
NAIM RAMADANI