Botë

Luftime në rajonin e Luhanskut, hidhet në erë ura që lidh Rusinë dhe Ukrainën

19.05.2022 15:48

Betejat e luftës në Ukrainë aktualisht janë duke u zhvilluar në rajonin e Luhanskut...

Betejat e luftës në Ukrainë aktualisht janë duke u zhvilluar në rajonin e Luhanskut. Ushtarët ukrainas hedhin në erë urën më të madhe në këtë rajon, për të penguar ofensivën ruse drejt qyteteve Lysychansk dhe Severo-donetsk. Kjo urë lidhëse disa qytete ukrainase me vendbanimet ruse dhe përdorej nga pushtuesit për të depërtuar në territorin ukrainas. Videot e publikuara tregojnë momentin e shpërthimin. Për shkak të luftës  në rajonin e Luhanskut është shpallur gjendje emergjente, banorët kanë mbetur pa ushqim. Policia ukrainase ndihmon në dërgimin e ndihmave humanitare.
 
Gjykimi i parë në Kiev, ushtari rus pranon krimet e luftës
 
Në kohën që zhvillohen luftime në disa pjesë të Ukrainës, në gjykatën e Kievit është zhvilluar gjyqi i parë për krime lufte, ndaj një ushtari rus. Rreshteri rus, Vadim Shishimarin, i cili vrau një civil ukrainas 62-vjeçar  të paarmatosur  në rajonin Sumy e pranon fajësinë. Ai u deklarua fajtor gjatë seancës së parë gjyqësore për këtë çështje. Shishimarin, 21 vjeç, e qëlloi katër herë në kokë burrin fatkeq në fshatin ukrainas Chupakhivka, më 28 shkurt dhe mund të përballet me burgim të përjetshëm.
 
"Unë e pranoj fajin. E di që nuk do të mund të më falësh, por megjithatë kërkoj falje për të gjitha ato që kam bërë. Na urdhëruan të vinim me kolonën, nuk e dija se çfarë do të pasojë, ndjehem i turpëruar për atë që kam bërë.”,- theksoi ushtari rus, Vadim Shishimarin.
 
“Me këtë gjyq të parë, ne po dërgojmë një sinjal të qartë se çdo autor, çdo person që urdhëroi ose ndihmoi në kryerjen e krimeve në Ukrainë nuk do t'i shmanget përgjegjësisë.”,- theksoi kryeprokurorja e Ukrainës, Iryna Venediktova. 
 
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, tha se në tre ditët e fundit 1.730 ushtarë ukrainas janë dorëzuar në fabrikën e Metalurgjisë “Azovstal” në Mariupol. Lidhur me situatën e ushtarëve ukrainas në fabrikën e Metalurgjisë “Azovstal”, Konashenkov tha se “në ditën e fundit janë dorëzuar 771 luftëtarë nga ky batalion. Që nga 16 maji e deri më tani janë dorëzuar gjithsej 1.730 luftëtarë prej të cilëve 80 të plagosur”. Ai shtoi se ushtarët e plagosur janë trajtuar në spitalin në Novoazovsk, derisa më shumë se 900 luftëtarë ukrainas janë dërguar në një koloni burgu në territorin e kontrolluar nga Rusia. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU