Maqedoni

PE miraton rezoluta për Maqedoninë e Veriut

19.05.2022 16:43

Parlamenti Europian me 508 vota pro, 56 kundër dhe 35 abstenime, miratoi rezolutën e raportuesit, Ilhan Kyuchyuk...

Parlamenti Europian me 508 vota pro, 56 kundër dhe 35 abstenime, miratoi rezolutën e raportuesit, Ilhan Kyuchyuk, mbi progresin e Maqedonisë së Veriut. Në rezolutë, Parlamenti Europian i kërkon Këshillit të Bashkimit Europian të fiksojë një datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, pasi vendi ka përmbushur të gjitha kushtet për këtë stad të integrimit europian. Për eurodeputetët, negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të hapen gjatë presidencës franceze, brenda fundit të qershorit.
 
Në debatin e zhvilluar për Maqedoninë e Veriut, eurodeputetët u shprehën se vonesat e mëtejshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit dëmtojnë reputacionin e Bashkimit Europian si partner i besueshëm dhe aktor serioz gjeopolitik dhe kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Eurodeputetët inkurajojnë gjithashtu Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut që të zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre kulturore dhe historike pavarësisht nga procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut. Në këtë rezolutë, Parlamenti Europian përshëndeti përpjekjet e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për të forcuar sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtat e pakicave. Mbështetje shprehet në rezolutë edhe për përpjekjet e vendit në luftën kundër korrupsionin dhe krimit të organizuar, reformimin e administratës publike dhe konsolidimin e lirisë së medias. 
 
MPJ: Mirëpresim thirrjen për çështjet dypalëshe
 
Ministria e Punëve të Jashtme e mirëpriti këtë qëndrim të Parlamentit Evropian.
 
“Inkurajon fakti që teksti i Rezolutës u mbështet nga një numër i madh deputetësh të Parlamentit Evropian, duke reflektuar mbështetjen e spektrit më të gjerë politik në kuadër të BE-së. Në këtë drejtim, ne mirëpresim thirrjen e Parlamentit Evropian për tejkalimin e çështjeve bilaterale jashtë procesit të anëtarësimit, që është në frymën dhe parimet e procesit të anëtarësimit. Parlamenti e njeh gjithashtu progresin e reformave të vendit dhe gatishmërinë e tij për të nisur menjëherë negociatat me BE-në.”,- thonë nga Ministria e Jashtme e vendit.
 
ERSAN PAJAZITI