Maqedoni

Inspektohet rruga Kërçovë–Ohër, premtohet se do të përshpejtojnë punimet

19.05.2022 17:01

Sot ministri për transport dhe lidhje, Bllagoj Boçvarski, dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore

Sot ministri për transport dhe lidhje, Bllagoj Boçvarski, dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, inspektuan punimet në autostradën A2, aksi rrugor Kërçovë-Ohër. Ministri Boçvarski theksoi se kjo rrugë është prioritet për qeverinë, ndërsa informoi se janë miratuar disa projekte të infrastrukturës, prandaj edhe punimet do të përshpejtohen. 
 
“Kjo autostradë është prioritet për qeverinë dhe as unë, as qeveria dhe as ndërmarrja për rrugët shtetërore, nuk pranojmë që të prolongohen më punimet, kemi një afat dhe ai afat duhet të respektohet, para qytetarëve, turistëve dhe të gjithë ne, që të kemi një autostradë të sigurt. Na ka mbetur që të fokusohemi fuqishëm tek punimet. Do të punohet gjatë sezonit të punës, ndërsa prej informacioneve që kemi, aksi i djathtë deri në Trebenishtë pritet të mbarohet deri në muajin gusht, ndërsa aksi i majtë do të mbarojë deri në fund të vitit.”,- deklaroi ministri për transport dhe lidhje, Bllagoj Boçvarski.
 
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët e Maqedonisë, Ejup Rustemi, tha se ende pritet të zgjidhen edhe procedura të tjera, siç është shpronësimi dhe shndërrimi i tokës bujqësore në toke ndërtimore.
 
“Po punohet me një intensitet të madh dhe rreth 95% e trasesë është depërtuar dhe veç më një numër i madh i projekteve të cilat deri tash nuk kishin leje nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, i kemi marrë të gjitha lejet dhe i kemi tejkaluar ato pengesat dhe sot po punohet me intensitet të shtuar. Sot kërkuam nga kontraktori të rrit dinamikën e ndërtimit në autostradë me tempo të përshpejtuar, po punohet në shumë viadukte, në disa nyje rrugore, në rrugë paralele dhe alternative, në mure mbajtëse, punohet edhe në tunelet dhe në çdo gjë tjetër që është e paraparë sipas dinamikës së ndërtimit.”,- tha drejtori i N.P. “Rrugët shtetërore”, Ejup Rustemi.
 
Autostrada Kërçovë-Ohër përbëhet prej pesë nën-segmente, me gjatësi të përgjithshme prej 57 km dhe me vlerë të përgjithshme të paraparë prej 598 milion euro. 
 
ILMIE ZHAKU