Michel: Integrimi europian i Ballkanit Perëndimor, duhet të përshpejtohet

20.05.2022 13:40

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel....

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, gjatë qëndrimit më 19 maj në Serbi, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se integrimi europian i Serbisë dhe i Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtohet dhe konfirmoi “zotimin e plotë” të BE-së në negociatat e anëtarësimit. Sipas tij, Lufta e Rusisë kundër Ukrainës , i ka dhënë fund paqes në Europë , dhe tani të gjithë duhet të punojnë për të mbrojtur njëri-tjetrin.

Michel theksoi se procesi i zgjerimit të bllokut me Ballkanin Perendimor,  duhet të jetë më efikas dhe dinamik dhe se “zgjidhja mund të qëndrojë në integrimin gradual dhe progresiv, gjatë procesit të anëtarësimit”.

Në takim është biseduar edhe për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, pasi Serbia është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur regjimin e sanksioneve ndaj Moskës, duke arsyetuar këtë vendim me faktin se sipas tyre,  po mbrojnë interesat vitale të shtetit.

Edhe pse në konferencën për media, Michel nuk përmendi  në mënyrë eksplicite se Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe takimi me Vuçiçin u mbajt prapa dyerve të mbyllura, presidenti serb pas rtakimit tha se ishte biseduar edhe për këtë çështje dhe sipas tij, Michel shprehu në mënyrë shumë të fortë dëshirën dhe pritjet që Serbia t’i bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë. “E informova atë për qëndrimet tona”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pas takimit.

Më herët, edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka potencuar se nuk mund të ketë të ardhme europiane për shtete që mbajnë kontakte me Putinin.