Presidenti i Këshillit europian në Tiranë, ende e paqartë nëse do të ketë ndarje nga RMV

20.05.2022 14:11

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel....

Në pritje për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në qershor, është ende e paqartë nëse do të ketë ndarje nga Maqedonia e Veriut, apo Shqipëria mund të marrë statusin e një anëtari të asocuar të Bashkimit Europian.

Ideja u artikulua nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, gjatë vizitës në Tiranë, i cili zbuloi detaje të përpjekjeve për konkretizimin e saj.

“Do ju tregoj një sekret, para disa muajsh ishim në Suedi për aktivitet dhe shkëmbyem ide me njëri-tjetrin. Kryeministri më tha se sa e rëndësishme është të përfshijmë udhëheqësit që ti kemi të gjithë. Një ide shumë pranë e këtij koncepti është e anëtarëve të asociuar. Ne dëshirojmë të kemi formatet e duhura që të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, të kuptojmë vështirësitë dhe si të kujdesemi” – tha Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

Pozitivja e kësaj ideje, për kryeministrin Edi Rama është se do t’u jepte fund paranojave se BE po na mban larg.

"Të hedhë një hap më tutje për ta afruar politikisht shumë më pranë Ballkanin Perëndimor, duke bërë një integrim të menjëhershëm në aspektin politik. Pra, të pjesëmarrjes së vendeve tona në tryezat evropian, në proceset e vendimmarrjeve që lidhen me sigurinë, përballimin e krizave etj. Të bashkëjetojmë si një komunitet i njëjtë. Të kemi edhe detyrime të njëjta. Ideja e anëtarit të asociuar të BE-së tha se është një ide që po merr mbështetje gjithmonë e më shumë. Kjo do t’i jepte fund të gjitha spekulimeve dhe paranoja që BE po na mban aty larg" – u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Michel përsëriti qëndrimin pro integrimit të vendit tonë, ndërsa Rama për ndarjen me Maqedoninë e Veriut, vetëm në rast se vijon pengu bullgar.

 “Ne po punojmë që të japim rezultate të prekshme për të gjithë shqiptarët. Ne do të kemi një takim të 27 drejtuesve të Bashkimit Evropian. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe çelja për anëtarësim duhet të vazhdojë sa më parë” – theksoi Michel.

“Ne shpresojmë që Bullgaria të hapë rrugën nëse nuk do ndodhë ne do ndryshojmë kursin gjë që e kemi konsultuar edhe me publikun këtu, e një shumicë e konsiderueshme shqiptarësh kanë thënë që nëse nuk ndodh gjatë presidencës franceze, të shkëputet jo nga Maqedonia e Veriut por te shkëputet nga kthetrat e Bullgarisë” – tha Rama.

Dy zyrtarët folën edhe për efektet pozitive që ka “Open Ballkan” për rajonin, duke bërë ftesë për gjithëpërfshirje. (Luljeta Ndoka, TVM2)