Maqedoni

Luftimet në Ukrainë, 12 të vrarë dhe 40 të plagosur në rajonin Luhansk

20.05.2022 15:19

Të paktën 12 civilë u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën nga granatimet e fundit të forcave ruse....

Të paktën 12 civilë u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën nga granatimet e fundit të forcave ruse, në Severodonetsk në rajonin e Luhansk-ut. Forcat ruse e kanë “shkatërruar plotësisht” rajonin industrial të Donbasit, deklaroi presidenti ukrainas Volodymir Zelensky, i cili e akuzoi Moskën për bombardime të pamërshirshme e njëkohësisht të pakuptimta, ndërsa intensifikonte ofensivën e saj.
 
“Atje është një ferr i vërtetë dhe ky nuk është ekzagjerim. 12 persona u vranë prej një bombardimi brutal e absolutisht të pakuptimtë në Severodonetsk. Ka sulme të vazhdueshme në rajonin e Odesës e në qytetet e Ukrainës qendrore. Donbasi është shkatërruar plotësisht. Kjo është një përpjekje e qëllimshme dhe kriminale për të vrarë sa më shumë ukrainas, për të shkatërruar sa më shumë shtëpi, objekte sociale dhe ndërmarrje.”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky.
 
Në kohën kur forcat ruse sulmojne rajonin lindor të Ukrainës-Luhansk, ushtarët ndihmuan në evakuimin e banorëve të Severodonetsk-ut.
 
“Oficerët me policinë dhe Administratën Ushtarake të Severodonetsk bashkuan forcat për të evakuuar një numër banorësh, duke përfshirë katër fëmijë, teksa hipën në një autobus që u nis për në një rajon më të sigurt në Ukrainës.”, tha guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haidai.
 
Ndërsa në fshatin Kutuzivka në qytetin Kharkov, ushtria ukrainase dëboi trupat ruse, të cilat për javë të tëra, bombarduan fshatin duke lënë dhjetra të vdekur. Tani fshati është nën kontrollin e forcave ukrainase, por nga mijëra njerëz atje, kanë mbetur vetëm njëqind. Ndërtesat e rrënuara dëshmojnë për pushtimin rus. Banorët gatuajnë mbi zjarre të hapura para shtëpive të tyre të dëmtuara. Disa kanë humbur kontaktet me të afërmit e evakuuar.
 
“Është nga reçeli, unë i gatuaj komposto vëllait tim. Këtu është kazani - na sollën çaj dhe kafe, ne nuk kishim as ushqim. Fshati ka qenë i rrethuar. Gjithçka është shkatërruar dhe në gatuajmë jasht.”, u shpreh një banor i fshatit Kutuzivka.
 
“Shtrihesh në krevat dhe mendon: A do të bjerë shtëpia apo nuk do të bjerë, sepse kur ulem, krevati kërcet bashkë me muret dhe dyshemen.”, tha një banor i fshatit Kutuzivka.
 
“Unë nuk kam celular, familjarët e mijë që janë larguer nuk më kanë telefonuar dhe nuk mund tu tregoj se ku janë tani, unë jam 81 vjeç dhe kam mbetur vetëm. As ato nuk di se ku ndodhen.”, u shpreh një banore e fshatit Kutuzivka.
 
Në fabrikën e rrethuar të çelikut, Azovstal në Mariupol, besohet se gjenden edhe disa luftëtarë ukrainas – megjithëse është e paqartë se sa janë brenda uzinës. Zëvendëskomandanti i njësisë Azov, Sviatoslav Palamar ka publikuar një video mesazh.
 
“Lavdi Ukrainës! Sot është dita e 85-të e luftës. Unë dhe komandantët jemi në territorin e uzinës Azovstal. Një operacion i caktuar është duke u zhvilluar, detajet e të cilave nuk do t'i zbuloj. Faleminderit të gjithë botës dhe faleminderit Ukrainës për mbështetjen tuaj.”, tha zëvendëskomandant i njësisë “Azov”, Sviatoslav Palamar.
 
Nuk është e qartë se çfarë operacioni po i referohej, por besohet se bëhet fjalë për ndonjë kundërsulm. Rusia thotë se më shumë se 1700 luftëtarë janë dërguar në zonat e kontrolluara nga Rusia, ku kjo e fundit ka njoftuar se ata mund të dalin para drejtësisë ruse.
 
FARIJE DAUTI BAKIU