Jemen, 30 viktima në Akademinë e Policisë

07.01.2015 12:04

Të paktën 30 vetë u vranë e shumë të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi i fuqishëm përpara një Akademie Policie në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa...

Një makinë-bombë u hodh në erë prej një kamikazi pranë njerëzve që prisnin në radhë për t’u regjistruar në Forcat e Policisë. Sipas dëshmitarëve, shpërthimi u dëgjua në të gjithë qytetin, e nga vendi i ngjarjes ngrihej një shtëllungë gjigante tymi.

“Një makinë bombë sulmoi Akademinë e Policisë që ishte plot studentë, që po regjistronin semestrin e dytë. 60 njerëz ishin atje”- deklaroi dëshmitari okular, Khaled Ajlan.

Situata në Jemen mbetet e paqëndrueshme që prej protestave të 2011-s, që detyruan largimin e presidentit të atëhershëm, Ali Abdullah Saleh. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë e sulmit, por në të kaluarën forcat vendase të sigurisë janë shënjestruar shpeshherë nga militantët e “Al Kaedës” në Gadishullin Arabik.

Qeveria e re, e formuar në nëntor, thotë se po bën të gjitha përpjekjet e duhura për të bashkëpunuar me lëvizjen separatiste në juglindje të vendit, ku një republikë e Jemenit Jugor ekziston që nga fundi i kolonializmit britanik në 1967 e deri në bashkimin e kësaj zone me  veriun e vendit në 1990.

Ndërkombëtarët kanë frikë se Jemeni mund të ketë fatin e njëjtë me Somalinë edhe për shkakun se është vendkalimi kryesor i Arabisë Saudite  në kanalin e Suezit, prej ku kalojnë anijet e mbushura me naftë.  (Adnan Hajdari, TVM2)