Ligji për Arsim të Lartë
Nesër, para Komisionit për Arsim në Kuvendin Republikan do të diskutohen propozim-ndryshimet në Ligjin për Arsim Sipëror në lexim të dytë....

Pritet që të ketë ndryshime në propozimin parësor qeveritar, pasi në mbledhjen e parmbrëmshme, menjëherë pas takimit me rektorët e universiteteve, qeveria pranoi disa nga vërejtjet e profesorëve, por edhe studentëve.
Janë pranuar shtatë propozime të Bashkësisë Akademike, të cilat janë propozuar në konferencën interuniversitare në qeveri. Këshilli për Akreditim që do të formulojë pyetjet, të përforcohet me kuadër plotësues ekspertësh, propozim të cilin e dha UEJL-ja.
Mesatarja për regjistrim në fakultetet pedagogjike të jetë tre në vend se katër, kërkesë kjo të cilën e parashtruan Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe UEJL-ja. Studimet postdiplomike të mund të akreditohen në kohëzgjatje prej një ose dy vitesh.
Po ashtu, u pranua propozimi që në disa universitete të mos vlejnë dispozitat ligjore për përshtatjen e programeve studimore me një nga 50 universitetet nga Lista e Shangait.
Do të ketë edhe regjistër për punime në revista me “impakt faktor”, të cilat janë pjesë e bazës “Web of sience”. Propozimi edhe për realizimin e provimit shtetëror që studentët të dëgjojnë vitin e katërt dhe ndërkohë të kalojnë pjesën e parë të provimit me mundësi që t’i nënshtrohet dhe pjesës së dytë, propozim i cili iu pranua rektorit të Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip, Sasha Mitrev.
Qeveria tashmë dy ditë u ka bërë thirrje profesorëve, studentëve dhe të gjithë atyre që kanë propozime të argumentuara, në mënyrë të shkruar t’i dorëzojnë që të shqyrtohen dhe nëse janë të pranueshme, do të miratohen.
Në diskutimin e nesërm të këtyre ndryshimeve pritet të ketë debat të zgjeruar, pasi amendamente do të dorëzojnë edhe deputetët. Por, megjithëse qeveria thotë se është e gatshme të inkorporojë në ligj përmes amendamenteve të gjitha kërkesat e argumentuara të profesorëve, Plenumi i Profesorëve ende mbetet në qëndrimin se qeveria nuk do debat publik.
Ata janë decid, kërkojnë tërheqjen e ligjit dhe thonë se “reformat për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë nuk mund të bëhen pa përfshirjen e profesorëve dhe studentëve”.
Edhe Plenumi Studentor thotë se do të vazhdojnë protestat edhe më masive në rast se nuk tërhiqet provimi shtetëror dhe paralajmërohen edhe masa më radikale, siç është padëgjueshmëria qytetare. Ende nuk dihet se sa propozime kanë dërguar në parlament Plenumi i Profesorëve dhe ai Studentor. (Flutura Rahimi, TVM2)
