Francë, sulmohet revista “Charlie Hebdo”, 12 të vdekur

07.01.2015 15:05

Dy persona të armatosur kanë hyrë në studiot e revistës satirike franceze “Charlie Hebdo” në qendër të Parisit, duke vrarë të paktën 12 persona....

Sipas “Le Parisien”, 10 prej viktimave janë brenda ambienteve të redaksisë dhe 1 jashtë, ndërsa “Le Figaro” theksoi se 2 prej viktimave janë policë. Numri i viktimave konfirmohet edhe nga Prokuroria e Parisit.

Njoftimet e para nga Bashkia e Parisit bëjnë të ditur për të paktën 10 të plagosur rëndë, përfshi edhe një polic. Dëshmitarët flasin për dy agresorë të veshur me të zeza e të maskuar dhe të pajisur me kallashnikovë, të cilët kanë shënjestruar zyrat e medias së njohur për nota të larta ironie e sarkazme në publikimin e lajmeve mbi çështjet aktuale në Francë, por njihet edhe si media anti-islamike.

Presidenti, Francois Hollande, e ka cilësuar këtë ngjarje si një akt barbar.

“Një akt barbar është kryer këtu në Paris në zyrat e gazetës, e cila është shprehje e lirisë së fjalës, mbi gazetarët, të cilët tashmë kanë treguar se mund të veprojnë në vend për të mbrojtur idetë e tyre dhe për të poseduar këtë liri që i mbron shteti. Në vendngjarje kishte dhe policë, ku së bashku me gazetarët u vranë nga qyqarët. Qeveria po punon në gjetjen e vrasësve”- deklaroi presidenti i Francës, Francois Hollande.

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, por agresorët janë arratisur me një automjet të paidentifikuar ende në drejtim të pjesës veriore të qytetit, ndërsa raportohet se disa prej punonjësve arritën të largoheshin nga zyrat, duke hipur në tarracën e ndërtesës. (Leunora Kaliqi, TVM2)