Botë
Lija e majmunëve, Belgjika ka vendosur karantinë 21 ditore
22.05.2022 18:49
Gjatë javës së fundit, shqetësimet janë rritur për përhapjen e lisë së majmunëve...

Gjatë javës së fundit, shqetësimet janë rritur për përhapjen e lisë së majmunëve, një sëmundje virale e cila zakonisht është e rrallë dhe gjendet kryesisht tek ata që së fundmi kanë udhëtuar në Afrikë.
Bëhet fjalë për Linë e majmunëve për të cilën thuhet se tanimë ka rreth 100 raste të konfirmuara në disa vende në botë – si në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, Belgjikë, Itali, Portugali, Spanjë dhe Suedi si dhe në SHBA, Kanada dhe Australi, duke ngritur frikën se virusi mund të jetë duke u përhapur.
Të dielën, Izraeli, Zvicra dhe greqia janë bërë vendet më të fundit që kanë konfirmuar rastet e lisë së majmunëve, duke e rritur më tej numrin e përgjithshëm të vendeve që kanë raportuar për raste të tilla.
Belgjika është bërë vendi i parë që ka vendosur një karantinë të detyrueshme 21 ditore për njerëzit e prekur nga Lija e majmunit. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se “secili duhet të jetë i shqetësuar” për shpërthimin global të lisë së majmunëve, pasi po shtohet numri i rasteve me këtë virus.
“Jemi duke punuar shumë për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë”, u ka thënë Biden gazetarëve, duke u nisur nga Koreja Jugore për në Japoni.
Edhe OBSh ka ngritur shqetësime për përhapjen e lisë së majmunëve sidomos në SHBA dhe Evropë.
