VMRO-DPMNE: Xhaferi të japë urgjentisht dorëheqje

23.05.2022 14:46

VMRO-DPMNE opozitare ka vazhduar akuzat ndaj kryeparlamentarit Talat Xhaferi....

VMRO-DPMNE opozitare ka vazhduar akuzat ndaj kryeparlamentarit Talat Xhaferi, për atë që e cilësojnë sjellje e padenjë për drejtuesin e institucionit më të lartë ligjvënës.

Opozita akuzon kryeparlamentarin edhe për takimin me delegacionin çeçen i cili sipas tyre përkrah Putinin dhe Kremlinin.  VMRO-DPMNE këmbëngul që Xhaferi të japë doreheqje.

“Nëse kishte pak ndërgjegje,  Talat Xhaferi  sot do të duhej të kishte deponuar dorëheqjen e tij, për shkak të sjelljes vulgare dhe primitive  të cilën ai e manifestoi ndaj të punësuarëve të Kuvendit, dhe e dyta për shkak të takimit skandaloz me një delegacion  ku  ka marrë pjesë edhe një politikan çeçen, ish deputet në Kuvendin Rus dhe bashkëpuntor i regjimit të Kremlinit. Këto dy skandale janë të majftueshme në  Evropë që  të përfundojë karriera e  cilit do politikani.” – tha Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.

Por nga Kabineti i Kryeparlamentarit që në fundjavë kanë përgenjeshtruar akuzat për takimin e apostrofuar madje i përkujtuan opozitës të mos përhapë lajme të rreme që kanë si qëllim jo vetëm të dëmtojnë kryeparlamentarin  Xhaferi, por edhe Kuvendin dhe shtetin.

Nga Kabineti i Xhaferit informojnë se të mërkurën do të mbahet takimi i rregullt me gazetarët ku ai do të jetë i hapur për t’ju  përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe për të diskutuar edhe  ecurinë e punës së Kuvendit pas bojkotit të opozitës. (Rexhep Qamili, TVM2)