Lufta në Ukrainë, Mariupoli nën kontrollin rus

23.05.2022 17:31

Qyteti port i Mariupolit tashmë është thuajse nën kontrollin rus.....

Qyteti port i Mariupolit tashmë është thuajse nën kontrollin rus, pas tre muajsh luftime të ashpra. Ushtarët ruse kanë filluar pastrimin e minave në fabrikën Azovstal, bastioni i fundit i ukrainasve që mbronin qytetin.

Në videot e publikuara  shihen ushtarët duke tundur detektorët e minave për të kontrolluar ambientet e uzinës dhe rrugët përreth tij.

Ushtria ruse tha më 20 maj se kishte "çliruar plotësisht" fabrikën e çelikut Azovstal pasi gjithsej 2,439 pjesëtarë të shërbimit të Forcave të Armatosura të Ukrainës, të cilët ishin bllokuar brenda uzinës, kishin lënë armët dhe ishin dorëzuar. Qeveria ukrainase shpreson të shkëmbejë ushtarët Azovstal me të burgosurit rus, por Moska përgatit një gjykim për ushtarët e regjimentit Azov.

“Të burgosurit ukrainas janë tani në territorin e RPD-së dhe po përgatisim dokumentet për  gjykimin e tyre. Më pas gjykata do të vendosë se çfarë dënimi do të marrin” – tha Udhëheqësi i Republikës së Vetëshpallur Popullore të Donetskut, Denis Pushilin.

Ndërkohë që Rusia përgatit gjykimin, në Kievë ushtari rus,Vadim Shishimarin është dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte.

Gjykimi ka përfunduar për  21 vjeçarin Shishimarin, i cili është ushtaraku i parë rus që u akuzua për krime lufte në Ukrainë. Ai u shpall fajtor për vrasjen e një civili të paarmatosur në rajonin Sumy të Ukrainës. Rusia thotë se është e shqetësuar për ushtarin e saj.

“Ne nuk kemi shumë mundësi për të mbrojtur interesat e tij në terren, pasi institucionet e huaja në fakt nuk kanë asnjë aktivitet [në Kiev]. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të shqyrtojmë mundësinë për të bërë përpjekje përmes kanaleve të tjera” – tha Zëdhënësi i Presidentit rus, Dmitry Peskov.

Në kohën që Rusia shpreh shqetësim për ushtarët e saj, ka dënuar qindra aktivistë të opozitës ruse që janë kundër kësaj lufte.

Kjo është Evgenia Kara-Murza, bashkëshortja aktivistit Vladimir Kara-Murza, i cili përballet me 10 vjet burg për kryengritje.

 “Në thelb, ai u akuzua sepse e tha të vërtetën për luftën dhe në lidhje me mizoritë e ushtrisë ruse të kryera në Ukrainë. E vërteta është armiku kryesor i regjimit. Dhe kjo është arsyeja pse unë besoj se ky regjim po e përdor këtë ligj për të shtypur të gjithë kundërshtarët në Rusi dhe për të trembur njerëzit që rrinë në heshtje” – tha Evgenia Kara-Murza.

Edhe reporterja Yaparova punon mes frikës dhe ankthit pasi vazhdimisht është kërcenuar për raportimet e luftës në Ukrainë. Portal i saj “Meduza” është bllokuar në Rusi por ajo është e vendosur të raportojë atë që Kremlini nuk dëshiron ta dëgjojnë njerëzit.

“Po, vazhdimisht mendoj për rreziqët. Është e vështirë. Është shqetësuese. Më dhemb ndonjëherë të shkruaj, sepse e di që, mund të dënohem, por nuk mund t'i fsheh faktet, por a do të shkoj në burg për këtë? Po, gjasat janë të mëdha’ – tha Reporterja, Lilia Yapparova

Për të ndalur hovin e luftës në Ukrainë,Presidenti Volodimir Zelenski gjatë një fjalimi në Davos kërkoi nga perendimi të shtregojnë sanksionet ndaj Rusisë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)