Maqedoni
Çmimi i naftës, asnjë ndryshim në çmimet e produkteve të tjera
07.01.2015 15:44
Rënia e vazhdueshme e derivateve të naftës në bursat botërore dhe në Maqedoni nuk po ndikojnë në uljen e çmimeve të produkteve ushqimore...

Edhe pse trendi i uljes së çmimit të naftës vazhdon tashmë 1 muaj, askush në vend nuk mori guximin të marrë iniciativën dhe të ndryshojë çmimet kryesore të produkteve ushqimore.
Qytetarët e anketuar nga TVM2 shprehen të pakënaqur, sepse gjithkund në botë çmimi i naftës ndikon në lëvizjen edhe të çmimeve të produkteve të tjera bazë.
“Duhet të ulen çmimet e produkteve ushqimore për shkak të rënies së vazhdueshme të derivateve të naftës. Nafta nuk është me çmim që ka qenë prej 70 denarë, tani është 50 denarë”- deklaroi një qytetar.
“Të gjitha produktet ushqimore në treg duhet të ulen, sepse produktet lidhen drejtpërdrejt me derivatet e naftës. Nëse përpara disa muajve produktet ushqimore në vend ishin në rritje të vazhdueshme për shkak të çmimeve të larta të derivateve, tani më kjo duhet të ndryshohet dhe duhet të ulen çmimet e produkteve”- tha një qytetar.
“Në këtë kohë të dimrit nevojitet të ulet çmimi i energjisë elektrike, sepse popullata nuk ka para, standardi i qytetarëve është duke u ulur nga ditë në ditë. Pasi që bien çmimet e naftës, mendoj se është mirë të ulen edhe çmimet e ushqimit”- theksoi një qytetar.
“Duhet urgjentisht të ulen çmimet e produkteve ushqimore në vend, sepse tani për tani janë shumë të shtrenjta, sidomos për ne pensionistët që kemi të ardhura mujore prej 7 mijë denarë, ndërsa nga ana tjetër, një bukë prej 300 apo 400 gramë shitet në treg 20 deri në 25 denarë”- u shpreh një qytetar.
Por, analisti dhe njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Abdylmenaf Bexheti, thotë se tregtarët kanë pasur humbje dhe jo domosdoshmërisht duhet t’i ulin çmimet e produkteve, pasi edhe ata mezi presin të shtojnë fitimet. Për të ulja e çmimeve mund të ndodhë me rritjen e konkurrencës nga inporti i mallrave.
“Trendi ekzistues i rënies së çmimeve të naftës logjikisht duhet të ketë inpakt në rënien e çmimeve të produkteve ushqimore, mirëpo nënvizoj se nuk është një çështje patjetër. Pra, është refleksi i tregut dhe ai duhet të inpaktojë që të ulen çmimet, prandaj kjo është përditshmëri normale. Nëse vazhdon të ketë rënie të derivateve të naftës, sigurisht që mund të pritet një reagim i tillë, por askush me asnjë mekanizëm nuk mund të detyrojë atë. Prandaj, e vetmja gjë që mund të ndodhë është si rezultat i konkurrencës në treg nga inporti, do të futen produkte ushqimore të cilat janë realisht me çmime më të ulëta. D.m.th. vetëm kjo është forma e cila mund të rregullojë këto çmime”- tha eksperti ekonomik, Abdylmenef Bexheti.
Komisioni Rregullator për Energjetikë pritet të mblidhet së shpejti për të vendosur edhe për çmimet e reja të derivateve të naftës, në përputhje me trendin botëror.
Por, mbetet të shihet nëse edhe çmimet e produkteve të tjera do të pësojnë ulje, apo tregtarët edhe më tej do të bëhen sikur “harrojnë” se çdo lëvizje në çmimin e naftës duhet të ndikojë edhe në çmimet e tjera. Dhe kur ulet nafta, sigurisht që çdo gjë tjetër duhet të pësojë lëvizje.
REXHEP QAMILI
