Maqedoni

VMRO-DPMNE: 6 të punësuar të qeverisë, udhëtuan falas si gazetarë

24.05.2022 14:44

VMRO – DPMNE ka fajësuar qeverinë për korrupsion, pasi në llogari të sajën dërgon të punësuar për qëndrim në Bullgari...

VMRO – DPMNE ka fajësuar qeverinë për korrupsion, pasi në llogari të sajën dërgon të punësuar për qëndrim në Bullgari në cilësinë e gazetarëve. Sipas informacioneve të VMRO-së, gjashtë persona të Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të qeverisë bashkë me drejtorin e këtij shërbimi, janë dërguar për tre ditë në Sofje në janar gjatë mbajtjes së seancës së përbashkët të të dy qeverive. Sipas partisë së Mickovskit vendimi është marrë në seancën e katër të qeverisë, ku personave në fjalë i’u është siguruar akomodim falas, shpenzime rruge si dhe teste PCR.
 
“Është plotësisht e paqartë përse duhet që gjashtë persona të Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta  të qeverisë të shkojnë në takimin e përbashkët midis dy qeverive, dhe mbi të gjitha të njëjtët të futen në listë si gazetarë. Sipas gjitha gjasave bëhet fjalë për ekskurzion dhe tur për të vizituar Sofjen dhe parë se si duket. Arsyetim tjetër nuk ka.”, tha zëdhënësi i VMRO–DPMNE-së, Dimçe Arsovski. 
 
Qeveria: Të punësuarit në SHPPP ishin pjesë e logjistikës
 
Akuzat e tilla janë përgënjeshtruar nga Shërbimi i qeverisë duke i cilësuar si dezinformacion.
 
“Gjashtë të punësuarit në Shërbimin për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta sihin pjesë e vizitës në Bullgari të angazhuar me detyra pune, organizim dhe mbështetje të aktiviteteve të delegacionit tonë, në të cilin kishte edhe përfaqësues të mediave.”, thonë nga Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të qeverisë.
 
Takimi ndërqeveritar midis qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është mbajtur më 25 janar, ndërkaq sipas deklarimeve të shërbimit qeveritar për personat në fjalë nuk janë bërë shpenzime shtesë.
 
MERALE ISMAILI