Maqedoni
Ulet numri i kërkesave për azil në 2014-tën
07.01.2015 16:03
Kërkesat për azil nga ana e shtetasve të Maqedonisë gjatë vitit 2014 kanë rënë në masën gjashtë për qind krahasuar me vitin 2013...

Kështu konstaton raporti më i fundit i publikuar nga Agjencia Evropiane “Frontex”.
Sipas këtij publikimi, azilkërkuesit nga Maqedonia përbëjnë vetëm 15 për qind të numrit të përgjithshëm për pesë shtetet ballkanike-Serbi, Shqipëri, Mali i Zi, si dhe Bosnja e Hercegovina, ndërkohë që më shumë aplikime në muajin tetor janë bërë nga shqiptarët dhe më pak nga malazezët.
Kërkesat për azil nga Maqedonia kanë rënë gjatë dhjetë muajve të parë të vitit të kaluar, duke e renditur atë të tretën në listën e vendeve të rajonit përfituese të regjimit pa viza për shtetet e Shengenit.
Gjatë vitit të kaluar, në total janë regjistruar 33.706 azilkërkues, ndërsa dyndja më e madhe është shënuar në Gjermani, e cila ka evidentuar 77 kërkesa më shumë për azil sesa vitet e kaluara, ndërsa Suedia pati ngjashëm raste sa viti i kaluar.
Po ashtu, vende më pak të kërkuara për azil gjatë vitit 2014 janë Belgjika dhe Zvicra, për të cilat aplikimet kanë rënë gjatë muajit tetor, respektivisht me -13 për qind dhe -15 për qind krahasuar me vitin 2013-të. Ndërsa për 10 muajt e parë të 2014, në Luksemburg vlerësohet një rritje prej 90 për qind e numrit të azilkërkuesve shqiptarë, me 116 kërkesa të reja gjithsej.
Në grafikun për Shqipërinë nga Njësia e Analizës për Riskun vërehet se kërkesat për azil përgjatë 2014 janë më të larta se në dy vitet e mëparshme, sikundër parashikohet tendenca për rritje të azilkërkuesve në javët vijuese të dimrit, ndryshe nga vendet e tjera ballkanike.
NAIM RAMADANI
