Maqedoni

Ngricë në të gjithë vendin, rrugët në gjendje të kalueshme

07.01.2015 16:23

Edhe sot ka vazhduar moti i thatë e i ftohtë në të gjithë vendin. Edhe pse kryesisht të gjitha qytetet kanë pasur mot kryesisht me diell...

Edhe sot ka vazhduar moti i thatë e i ftohtë në të gjithë vendin. Edhe pse kryesisht të gjitha qytetet kanë pasur mot kryesisht me diell, ngrica ka shqetësuar të gjithë banorët e Maqedonisë, pasi në rrugë duhet të ecet me shumë kujdes për shkak të akullit.
 
Ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda ngarkuese ka në drejtimin rrugor Dibër–Strugë, në rrugët e tjera kalohet, por me shumë kujdes. 
 
Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu, thotë se gjendja e rrugëve edhe gjatë ditëve në vijim do të jetë e kalueshme, por gjithsesi rekomandohet për kujdes. 
 
“Rrugët magjistrale dhe rrugët regjionale janë në gjendje të kalueshme. Askund në territorin e RM-së nuk ka pengesa sa i përket komunikacionit rrugor dhe nuk pritet të ketë pengesa në ditët në vijim. Rrugët më kritike ku kanë qenë, rruga Gostivar- Strazhë, Strazhë –Kërçovë dhe Kërçovë –Strugë-Qafëthanë janë të kalueshme dhe nuk pritet të ketë problem të paraparë”- deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu.
 
Sinoptikanët thonë se ngrica do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim dhe temperaturat do të vazhdojnë të paktën deri në fundjavë të jenë nën zero.  
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI