Botë

Teksas, 21 të vrarë në një shkollë, 19 prej të cilëve fëmijë

25.05.2022 10:52

Nëntëmbëdhjetë fëmijë dhe dy persona të moshës madhore kanë humbur jetën nga të shtënat në një shkollë...

Nëntëmbëdhjetë fëmijë dhe dy persona të moshës madhore kanë humbur jetën nga të shtënat në një shkollë fillore në jug të Teksasit në SHBA. Vrasja u krye nga një sulmues 18-vjeçar në Shkollën Fillore “Robb”, në qytetin Uvalde, përpara se të vritej nga forcat e sigurisë. Hetuesit thanë se sulmuesi ka qenë i armatosur me një pistoletë, me një pushkë gjysmë-automatike të llojit AR-15 dhe kishte karikatorë me kapacitet të lartë. Adoleshenti dyshohet se fillimisht ka qëlluar gjyshen e tij dhe më pas ka vazhduar sulmin. Policia ka njoftuar se sulmuesi ka “vepruar i vetëm gjatë këtij akti të tmerrshëm”.
 
“Kryerësi është kapur dhe nuk jemi në kërkim të ndonjë personi tjetër.”,- tha shefi i policisë, Pete Arredondo. 
 
Zyrtarët e patrullës kufitare amerikane gjendeshin afër kur filluan të shtënat dhe menjëherë shkuan në shkollë duke e vrarë sulmuesin, i cili gjendej pas një barrikade. Njëri nga zyrtarët policorë është qëlluar në kokë, thanë autoritetet, duke shtuar se të dy aktualisht janë në gjendje stabile dhe po marrin trajtim në spital.
 
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se sulmuesi, të cilin ai e identifikoi si Salvador Ramos, e braktisi veturën e tij para se të hynte në shkollë dhe të hapte zjarr “në mënyrë të tmerrshme dhe të pakuptueshme”.
 
“Ajo që ndodhi në Uvalde është tragjedi e tmerrshme që nuk mund të tolerohet në shtetin e Teksasit.”,- theksoi guvernatori i Teksasit, Greg Abbott.
 
Një prej personave të rritur që është vrarë ishte mësuese. Pothuajse 500 nxënës vijojnë mësimin në shkollën ku ndodhën të shtënat dhe kryesisht janë hispanikë. Në atë shkollë vijojnë mësimin klasat e dyta, të treta dhe të karta dhe nxënësit janë nga mosha shtatë deri në dhjetë vjeç. Presidenti amerikan, Joe Biden, duke dënuar sulmin ka bërë thirrje për rritjen e kontrollit të armëve.
 
“Edhe sa shumë fëmijë të vegjël që panë atë që ndodhi, duhet të shohin shokët e tyre duke vdekur sikur të ishte fushëbetejë. Ata duhet të jetojnë me këtë gjë gjatë gjithë jetës së tyre.”,- theksoi presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
 
Ai urdhëroi që flamuri amerikan të ulej në gjysmështizë në Shtëpinë e Bardhë dhe në ndërtesat e tjera federale në nderë të viktimave. Të shtënat në shkolla në SHBA janë të shpeshta. Vitin e kaluar janë regjistruar 26 raste të tilla, ka njoftuar EdWeek, një organizatë që merret me arsim.

NAIM SINANI