Futboll, sonte në Tiranë ndeshja Roma-Eyenoord

25.05.2022 12:22

Sonte në stadiumin “Air Albania” në Tiranë luhet finalja e madhe e UEFA Conference League...

Sonte në stadiumin “Air Albania” në Tiranë luhet finalja e madhe e UEFA Conference League, mes Romës italiane dhe Feyenoordit holandez. Tifozët holandezë dhe italianë kanë vërshuar kryeqendrën shqiptare, një pjesë e të cilëve janë përleshur mbrëmë, me ç’rast kanë pësuar lëndime 19 policë dhe 10 qytetarë, 5 prej të cilëve shtetas të Shqipërisë 3 italianë dhe dy holandezë. 

Në orët e para të mëngjesit të sotëm janë kthyer mbrapsht për në Itali rreth 80 tifozë problematikë. Identifikimi i tyre është bërë në bashkëpunim me Interforcën dhe ambasadën italiane. Mbajtja larg e elementëve të rrezikshëm është konsideruar si zgjidhje për vënien nën kontroll të situatës dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë dhe pas ndeshjes. Ndërkohë mëngjesin e sotëm ka arritur në Durrës një grup tjetër tifozësh meitalian me tragete. Tifozët italianë, thonë se aktet e dhunës janë normale në ndeshje të këtij niveli megjithëse ajo duhet ndaluar.
 
“Absolutisht janë normale, duhet ndalur dhuna por është edhe pjesë e lojës, shpresojmë të mos lëndohet askush dhe të jenë të gjithë të qetë.”,- tha një tifoz.
 
“Shpresoj të bëjmë një ndeshje të madhe, është ajo që presim prej 31 vitesh. Duam të fitojmë dhe të çojmë në shtëpi  këtë kupë të madhe. Na bëhet shumë qejfi ta ndajmë këtë kënaqësi me popullin shqiptar, ishte shumë e bukur kjo finale këtu, shqiptarët I ndjejmë shumë të afërt, kështu që do të jetë një festë e madhe. Jam i bindur se nëse fiton Roma, ju do të jeni të lumtur po aq sa ne.”,- theksoi një tifoz.
 
“Sporti është sport. Sporti duhet përjetuar me kënaqësi, ne kemi ardhur këtu për të festuar. Jemi këtu për të parë ndeshjen, për të shijuar këtë qytet të bukur, Tiranën më pas që është një qytet shumë i bukur. Nuk kemi dëshirë të bëjmë rrëmujë, kemi vetëm dëshirë të çojmë në shtëpi këtë kupë dhe të fitojmë dhe të festojmë bashkë me shqiptarët.”- u shpreh një tifoz.
 
Asnjë romanist nuk dëshiron të humbasë ndeshjen, por të njëjtën e pretendojnë edhe tifozët holandez. Sonte Roma do të luajë një finale europiane të munguar prej 31 vitesh. Do të jenë rreth 20 mijë tifozë në impiantin “Arena Kombëtare”, Tiranë, pjesa më e madhe mbështetës verdhëkuq. Kush do t’i gëzohet fitores do të mësohet pas ndeshjes që fillon sonte në ora 21. 
 
NAIM SINANI