Maqedoni
Xhaferi: Nuk ndjej përgjegjësi që të kërkoj falje
25.05.2022 13:32
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, nuk ndjen përgjegjësi t’u kërkojë falje shërbimeve të kuvendit....

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, nuk ndjen përgjegjësi t’u kërkojë falje shërbimeve të kuvendit, pas skandalit në kuvend. Në një takim me gazetarët, Xhaferi tha se ka qenë i revoltuar nga puna e shërbimeve, pasi nuk e kanë kryer punën siç duhet, duke i dorëzuar materiale të gabuara. Mohoi të përgjigjet nëse u ka kërkuar falje shërbimeve. Fyerjet, sipas Xhaferit, nuk janë drejtuar të punësuarve, por qasjes së tyre ndaj punës.
“Nëse vijohet deri në fund procedura, për një gabim të tillë shkohet në shtëpi. Materiali i përgatitur e kthente seancën mbrapa. Nëse nuk e vëreja, s’do mund ta kthenim seancën aty ku kishim mbetur. Nuk konsideroj se kam shkelur diçka, pjesa tjetër është mendim i publikut. Publiku tha atë që mendonte.”,- theksoi Xhaferi.
VMRO-DPMNE: Xhaferi të kërkojë falje dhe të dorëhiqet
Nga VMRO-DPMNE e pritën me transparent para kuvendit kryeparlamentarin. Për opozitën nuk është normale që Xhaferi jo vetëm që nuk kërkon falje, por sillet sikur nuk ka ndodhur gjë. Ata kërkojnë dorëheqjen e tij dhe hapjen e debatit në Komisionin për Çështje të Rregullores dhe Mandatit.
“Xhaferi të paktën të kërkonte falje dhe të japë dorëheqje. Kushedi sa të ikë nga përgjegjësia dhe të mundohet që të harrohet ky skandal, gjithmonë do ta ndjekë njolla që la pas vetes. Ne gjithmonë do të jemi këtu për ta rikujtuar se me sjelljen dhe punën e tij është njëri nga kryetarët më të këqij dhe më të paaftë që ka pasur kuvendi. Ftojmë zotëri Panço Minov të caktojë seancën në të cilën do të diskutohej për sanksionet ndaj Xhaferit.”,- tha deputetja e VMRO–DPMNE–SË, Dafina Stojanovska.
Akuzat ndaj Xhaferit, LSDM: Njëherë të debatojmë nëse ka faj
Opozita fton edhe deputetët e shumicës që të ndëshkojnë sjelljen e Xhaferit. Por nga LSDM mohojnë të prononcohen para shqyrtimit të provave.
“Të debatohet fillimisht nëse kryeparlamentari mbart faj, a ka bërë një gjë të tillë, andaj s’do ta komentoja. Do t’u them se kryetari i parlamentit zotëri Xhaferi, sipas shërbimeve të kuvendit është njëri nga kryetarët më të dëshiruar deri më tani, pasi që kujdeset shumë për ata.”,- u shpreh deputetja e LSDM–së, Daniella Markovska.
Kryeparlamentari kërkesën për dorëheqje e konsideron si veprim me të cilin merret opozita në mungesë të aktiviteteve të mirëfillta. Ai mohon të përgjigjet nëse ka bazë që komisioni për çështje të mandatit ta suspendoj nga detyra.
MERAL ISMAILI
