Botë

Turqi, sulm kamikaz në rajonin e policisë, vdes 1 polic

07.01.2015 16:49

Një atentatore vetëvrasëse e ka hedhur veten në një stacion policie në Stamboll, duke vrarë 1 polic dhe duke lënë një tjetër të lënduar...

Stacioni i policisë ndodhet në lagjen Sultanahmet, ku çdo ditë mijëra turistë vizitojnë Haja Sofian dhe Xhaminë “Blu” dhe atentatorja pikërisht është hequr si turiste që kërkon ndihmën e policisë për një vjedhje.
 
Sipas mediave, autorja e këtij akti është identifikuar  si Elif Sultan Klasen.
 
“Gruaja kishte folur anglisht me një theks të fortë. Ajo ishte hequr si turiste, e veshur me ferexhe për t’u fshehur. Telekamerat e sigurisë e kanë filmuar hyrjen e saj në komisariat. Ajo ka thënë se kishte humbur portofolin, duke u përpjekur të kalonte pjesën e kontrollit. Në momentin që u ndalua nga një agjent, ajo shpërtheu një granatë që kishte në dorë. Por, atentati mund të kishte shkaktuar më shumë viktima, pasi gruaja kishte dhe dy bomba të tjera të cilat mbetën të pashpërthyera”- deklaroi guvernatori i Stambollit, Vasip Sahin.
 
Policia e rrethoi zonën rreth vendit të ngjarjes. Transporti publik i distancave të shkurta u ndërpre për një periudhë kohe. Deri tani përgjegjësinë për aktin nuk e ka marrë asnjë grupim.
 
Javën e kaluar, një burrë hodhi në Stamboll një granatë ndaj një polici.
 
Përgjegjësinë për këtë akt e mori grupi radikal i majtë, DHKP-C. Ky grup ndërmori një atentat vetëvrasës edhe vitin e kaluar kundër Ambasadës së SHBA-ve në Ankara.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU