Maqedoni

Integrimi në BE, Hasanoviç: Ende larg standardit në reforma

25.05.2022 14:20

Duke marrë parasysh progresin e arritur në bisedimet me Bullgarinë....

Duke marrë parasysh progresin e arritur në bisedimet me Bullgarinë, vendi vështirë se do të marrë datën për fillimin e bisedimeve me BE-në, vlerësuan analistët në “Argument” në TVM2. Por, sipas tyre, mosmarrja e datës nuk do të thotë që vendi nuk duhet të zbatojë reformat e nevojshme, pasi ende jemi larg standardit dhe mirëqenies së vendeve të Bashkimit Evropian. 
 
“Hipotetikisht nëse i kishim hapur bisedimet me BE-në, a do të ishte parandaluar tragjedia në Tetovë me spitalin modular, apo a do të ishte ndaluar dështimi i Prokurorisë Speciale, apo të gjitha këto faktorë. Ne kemi bërë një progres pas regjimit. Por, nuk besoj që jemi në një pozitë kur kjo është “make it or break it”. Ne kemi shumë reforma për të bërë për të mbërritur në një stad mos të jemi të varur se çfarë thonë politikanët evropianë dhe mos t’i bëjmë reformat vetëm për politikanët evropianë.”,- deklaroi Emir Hasanoviç nga Instituti për Dialog Strategjik.
 
Ndihma ndërkombëtare në dialog, Nuhiju: S’bëjnë presion, por diplomaci miqësore
 
Përderisa po afrohet data e samitit të këshillit të BE-së, në rajon po shpeshtohen edhe vizitat e ndërkombëtarëve. Por profesori universitar Qani Nuhiju vlerëson se vendet perëndimore vështirë e kanë të bëjnë një presion në këtë rast, pasi që të dy vendet si Bullgaria po edhe Maqedonia e Veriut janë aleate të BE-së dhe NATO-s
 
“Nuk besoj që as SHBA-të por as Unioni Evropian të bëjnë presion klasik mbi asnjërin mbi këto dy shtete, as Maqedoni të Veriut as Bullgarinë. Thjeshtë është një ndihmë diplomatike, miqësore. Për shkak se të dyja janë shtete që njëra është anëtare e BE-së, tjetra synon që të shkojë atje. Të dyja shtetet janë anëtare të NATO-s. Tash po të futen dhe SHBA-të mbi cilin të bëjnë presion. Është çështje shumë diskutabile.”,- u shpreh profesori universitar, Qani Nuhiju.
 
Megjithatë panelistët nuk pajtohen se vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme nëse dështon të marrë datë, e potencojnë se para zgjedhjeve të radhës, shumë gjëra duhen rregulluar, nisur nga Kodi Zgjedhor.

ERSAN PAJAZITI