Maqedoni

Lija e majmunëve - asnjë rast në vend, KSI ndjek me kujdes situatën

25.05.2022 15:22

Komisioni për Sëmundje Infektive ka shprehur shqetësime në lidhje me përhapjen e lisë së majmunëve në më shumë vende të botës...

Komisioni për Sëmundje Infektive ka shprehur shqetësime në lidhje me përhapjen e lisë së majmunëve në më shumë vende të botës, e konfirmimeve të fundit të rasteve edhe te fqinjët. Por, megjithëse në vend nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar apo të dyshuar, nga KSI thonë se është detyrë e tyre që të përgatisin  sistemin shëndetësor, me qëllim të përgjigjes efikase në rast të paraqitjes së sëmundjes. Ky virus nuk është i ngjashëm me Covidin dhe nuk përhapet aq lehtë, ndaj nevojiten protokolle të ndryshme dhe tashmë janë dhënë udhëzime për të përcaktuar protokollet për shqyrtimin, diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve potenciale. 
 
“Kemi përhapjen e lisë së majmunit në botë edhe përtej vendeve endemike, si Afrika Qendrore dhe Afrika Perëndimore. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet e tjera përkatëse që monitorojnë sëmundjet infektive, tregojnë gjithashtu një farë shqetësimi se si po përhapet lija e majmunëve. Për këtë arsye, Komisioni  ka diskutuar rrugët klinike për monitorimin, skriningun, diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve që eventualisht do të infektohen nga lija e majmunëve.”,- tha zëdhënësi i KSI-së, Zllate Mehmedoviq.
 
Karakteristikë e lisë së majmunëve është ndryshimi i lëkurës dhe shfaqja e flluskave, molisje e trupit etj. 
 
“Simptomat që shfaqen janë të ngjashëm me të gjitha llojet e frutheve  si në ndryshimet e lëkurës, flluska, qelb, duke përfunduar me lëkurë të vrazhdë, me  temperaturë mbi 38 gradë, dhimbje muskujsh si dhe molisje e trupit. Në faqen e Institutit të Shëndetit Publik tashmë është publikuar një broshurë se si transmetohet, cilat janë simptomat dhe procedurat e hospitalizimit.”,- theksoi zëdhënësi i KSI-së, Zllate Mehmedoviq.
 
KSI me kujdes po e ndjek situatën, ndërsa për momentin nuk rekomandohet asnjë masë. Deri më tani është raportuar për 131 raste të konfirmuara të lisë së majmunëve dhe 106 raste të tjera të dyshuara në më shumë se 15 vende, që kur rasti i pari u raportua më 7 maj . Shumica janë në Europë, ku kjo sëmundje shihet rrallë, por ka pasur më shumë se 1.200 raste në muajt e fundit edhe në Afrikën Perëndimore, ku lija e majmunëve është gjithmonë e pranishme.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI