Maqedoni
Eurointegrimet, Osmani: S’kam qëndrim si do të jetë vendimi i samitit
25.05.2022 16:21
Vetëm një muaj para Samitit të Këshillit të Bashkimit Europian, ministri Bujar Osmani....

Vetëm një muaj para Samitit të Këshillit të Bashkimit Europian, ministri Bujar Osmani nuk ka përgjigje nëse do të ketë epilog pozitiv për vendin tonë. Edhe në raport me mosmarrëveshjet me Bullgarinë, as takimet e fundit mes palëve nuk prodhuan situatë të re për ta ndarë me opinionin, thotë ai. Siguron se sido që të jetë vendimi i BE-së, Maqedoninë e Veriut nuk e zhvendos asgjë nga rruga e filluar euro-integruese. Osmani foli edhe për idenë e Makronit për Bashkësi Politike Europiane, të cilën e vlerësoi vetëm si ide dhe jo alternativë për aderim në BE.
“Po të ishte vendim që do varej nga ne, sigurisht se do të jepja vlerësimin tim se jam ose nuk jam optimist. Ajo çka është me rëndësi se ne do të vazhdojmë në dialog në mënyrë konstruktive për të gjetur një zgjidhje për të vazhduar më tutje. Për momentin nuk ka diçka të re që mund ta ndajë me ju nga ajo që veç më tani e kemi diskutuar.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Përfaqësuesi i MPJ-së sllovene: Zgjerimi i BE-së, as i gjallë as i vdekur
Bashkimi Europian duhet patjetër të realizojë premtimin e dhënë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për fillimin e negociatave dhe kjo të ndodh këtë verë, vlerësoi koordinatori nacional për Ballkanin Perëndimor në MPJ-në sllovene, Peter Grk.
“Kur flitet për procesin e zgjerimit, ky proces fshihet, nuk do të thosha se është i vdekur por nuk është i mbetur edhe tërësisht i gjallë.”,- u shpreh koordinatori për Ballkanit Perëndimor në MPJ-në sllovene, Peter Grk.
OJQ-të nga vendet e Ballkanit: Zgjerimi përforcon sigurinë e Europës
Përfaqësuesit joqeveritar nga vendet ballkanike konkluduan se lufta në Ukrainë ka bërë që siguria e Europës të varet kryesisht nga zgjerimi i saj me vendet e Europës Juglindore.
“Vendet e BE-së nuk munden të kenë sukses pa e siguruar krahun jugor. Si mund të bashkëpunoni me vende të izoluara? Mekanizmi për zgjerim nuk ka dy funksione, ose jeni brenda ose jashtë.”,- theksoi drejtori i Forumit Ndërlidhës në Tiranë, Ardian Haçkaj.
“Politika e Zgjerimit nuk do të funksionojë nëse nuk zgjidhen paralelisht problemet bilaterale për shtetësi dhe identitet.”,- u shpreh drejtoresha e Qendrës për Politika Europiane në Beograd, Milena Lazareviç.
Këto komente u thanë në panelin “Rruga drejt Brukselit” që i paraprin Forumit të sivjetmë të Prespës për dialog.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
