Maqedoni

Ministria e Financave pa përgjigje, nëpunësit e gjendjes civile sërish në protestë

25.05.2022 17:34

Sërish nga kjo e mërkurë të punësuarit në Drejtorinë e Librave Amë protestojnë dhe grevojnë para dyerve të Ministrisë së Financave...

Sërish nga kjo e mërkurë të punësuarit në Drejtorinë e Librave Amë protestojnë dhe grevojnë para dyerve të Ministrisë së Financave për shkak të skadimit të afatit për t’u përgjigjur nëse do të ketë ose jo mjete për t’i rritur dhe harmonizuar pagat e tyre për 30%.
 
Para 10 ditësh Ministria e Drejtësisë pranoi kërkesat e sindikalistëve, por thotë se rritja e pagave të tyre varet nga mundësinë financiare e shtetit, respektivisht mjeteve që Ministria e Financave ka në dispozicion për momentin.   
 
“Çështja më e rëndësishme është marrëveshja e re kolektive e cila do të na sigurojë rritjen e pagave tona prej 30% dhe 50% prej pagës mesatare për K15. Prej 13 majit janë dërguar kërkesat tona të harmonizuara me Ministrinë e Drejtësisë dhe deri më sot Ministria e Financave ende nuk është prononcuar rreth tyre.”,- tha kryetari i Sindikatës së Drejtorisë së Librave Amë, Toni Miloshevski.
“Ata duhet të dalin dhe të na japin një sqarim se pse vonohet kaq shumë ky proces. Ne prej më 27 prill jemi në grevë dhe askush nuk është interesuar se çfarë kemi ne, ndërsa nga ana tjetër ka shumë kërkesa për certifikata dhe regjistrime dhe kanë shumë halle qytetarët, ndërsa askush, asnjë ministri nuk e thirri kryesinë e sindikatës të ulen dhe të bisedojnë se çfarë mund të japin ose jo.”,- theksoi sindikalisti Naser Xhemaili.
 
“Le të na tregojnë qartë a ka ose jo para për ne, ne te tregojnë se a mund të na ofrojnë dhe ne t’i rishikojmë pozicionet tona. Nëse ata vazhdojnë të heshtin ndaj kërkesave tona nuk përjashtohet mundësia që të organizojmë protestë masovike para Qeverisë.”,- deklaroi kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Marijan Risteski.
 
Greva e tyre zhvillohet më shumë se një muaj, ndërsa dokumentet lëshohen vetëm në raste urgjente. Sindikalistët ankohen se mbi 70% e të punësuarve paguhen më pak se paga minimale në vend. Ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar i Ministrisë së Financave për rritjen e pagave të tyre. 
 
REXHEP QAMILI