Sulmi ndaj “Charlie Hebdo”, reagon politika shqiptare, SHBA-të, NATO-ja dhe EU-ja
Politika shqiptare, NATO-ja, BE-ja dhe SHBA-të kanë reaguar sot kundër sulmit në selinë e gazetës satirike franceze, “Charlie Hebdo”, ku janë vrarë 12 persona...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në profilet e tyre në “Facebook” kanë dënuar sulmin, duke e cilësuar atë si barbar dhe duke ngushëlluar familjarët e viktimave dhe shtetin francez.
“Çfarë dhunimi për Francën e lirisë, barazisë, vëllazërimit, kasaphana mbi redaksinë e gazetës së famshme satirike! Trishtim, solidaritet, revoltë”- shkruan kryeministri Rama.
“Akt i tmerrshëm terrorist ndaj vlerave që i përqafojmë dhe që duhet t’i mbrojmë. Kosova qëndron me Francën, solidarizohemi me familjet e viktimave”- ka shkruar presidentja e Kosovës, Jahjaga.
Sulmin ndaj revistës satirike franceze e kanë dënuar edhe SHBA-të, NATO-ja dhe BE-ja.
Shtëpia e Bardhë solidarizohet me familjet e atyre të cilët u vranë në atë sulm, ka deklaruar Xhosh Ernest, zëdhënësi presidentit amerikan, Barak Obama.
Ndërsa presidenti i Komisioni Evropian, Zhan Klod-Junker, ka deklaruar se: “thellësisht është i shokuar nga sulmi brutal dhe johuman në zyrat e revistës “Charlie Hebdo”.
Kjo është vepër e patolerueshme, barbare, që na brengos ne të gjithëve si evropianë, potencoi Junker. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në porosinë e tij thotë: “Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne solidarizohemi tërësisht me aleatin tonë, Francën. Të gjithë aleatët e NATO-s qëndrojnë bashkë në luftën kundër terrorizmit."
Stoltenber nënvizon se “terrorizmi në të gjitha format dhe manifestimet e tij asnjëherë nuk mund të tolerohet dhe arsyetohet”.
MEFAIL ISMAILI
