Botë

Çfarë është lija e majmunit?

26.05.2022 12:16

Autoritetet e shëndetësisë në Evropë, Amerikën e Veriut, Izrael dhe Australi kanë identifikuar gjatë ditëve të fundit...

Autoritetet e shëndetësisë në Evropë, Amerikën e Veriut, Izrael dhe Australi kanë identifikuar gjatë ditëve të fundit mbi 130 raste të infektuarish me linë e majmunit.
 
Lija e majmunit është një virus që e ka prejardhjen nga kafshët e egra, si brejtësit dhe primatët, dhe që ndonjëherë kalon tek njerëzit. I përket të njëjtës familje virusesh si sëmundja e lisë.Shumica e rasteve të identifikuara tek njerëzit ka qenë në Afrikën qendrore dhe Perëndimore dhe përhapja ka qenë relativisht e kufizuar.
 
Sëmundja u identifikua fillimisht nga shkencëtarët në vitin 1958, kur pati dy valë përhapjeje të një sëmundjeje që i ngjasonte lisë në radhët e majmunëve që përdoreshin për punë kërkimore - që atëherë mori emrin lija e majmunit. Infektimi i parë i një njeriu ndodhi në vitin 1970 - një djalë në një zonë të largët të Kongos.
 
Shumica e pacientëve me linë e majmunit përjetojnë vetëm temperaturë, dhimbje në trup, ethe dhe lodhje. Njerëzve që sëmuren më rëndë mund t'iu shfaqen puçrra dhe të çara në lëkurën e fytyrës dhe duarve, të cilat mund të përhapen në pjesë të tjera të trupit.
 
Shumica e njerëzve e kalojnë në dy deri në katër javë pa patur nevojë të shtrohen në spital, ndërkohë që lija e majmunit mund të rezultojë fatale në 6% të rasteve dhe mendohet se është më e rëndë tek fëmijët.
 
Vaksina e lisë është efikase edhe kundër lisë së majmunit dhe ilaçet anti-virale janë gjithashtu duke u prodhuar. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve rekomandoi që të izolohen të gjithë personat e dyshuar dhe t'u bëhet vaksina e lisë personave me rrezik të lartë që mund t'i kenë kontaktuar. Britania po ua ofron vaksinën personave që kanë patur kontakt me të infektuarit dhe që mund të rrezikohen, ndërsa rekomandon që kushdo që mund të jetë infektuar të izolohet derisa të jetë shëruar.
 
Në rezervat e Shteteve të Bashkuara gjenden 1 mijë doza të një vaksine të miratuar nga autoritetet për parandalimin e lisë së majmunit dhe të lisë, plus mbi 100 milionë doza të një vaksine të lisë të brezit më të vjetër.
 
Për përhapjen e lisë së majmunit duhet kontakt shumë i afërt. Nuk ka pra shumë gjasa të shkaktojë valët e mëdha të sëmundjes si COVID-19, që mund të transmetohet nga ajri edhe nga njerëz pa asnjë simptomë. Sidoqoftë, Agjensia Britanike e Sigurisë Shëndetësore ka thënë se parashikon të ketë infektime të reja "çdo ditë". Shumë nga personat e identifikuar nuk kanë patur lidhje me infektimet e mëparshme, gjë që sugjeron se virusi po përhapet tashmë gjerësisht.
 
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se ka mijëra raste në vit me linë e majmunit në rreth dymbëdhjetë vende afrikane. Shumica janë në Kongo, e cila raporton 6 mijë raste në vit, si dhe në Nigeri, me rreth 3 mijë raste në vit.
 
Në të kaluarën, raste të izoluara me linë e majmunit janë pikasur jashtë Afrikës, përfshirë në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani. Rastet ishin përgjithësisht të lidhura me udhëtime në Afrikë, apo me kontaktin me kafshët në zonat ku sëmundja është më e pranishme.