Maqedoni
Vendimi për autoqefalinë e kishës, Kovaçevski: Ka rëndësi për ardhmërinë e shtetit
26.05.2022 15:22
Vendimi për autoqefalinë e kishës ortodokse maqedonase është moment historik dhe ka rëndësi për ardhmërinë e shtetit...

Vendimi për autoqefalinë e kishës ortodokse maqedonase është moment historik dhe ka rëndësi për ardhmërinë e shtetit, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski, në pyetjen e deputetes së LSDM-së, Daniella Koleva, se sa vendimi i tillë do të ndikojë në çështje të tjera të hapura me fqinjët. Sipas kryeministrit, kjo duhet të shërbejë si shembull i krijimit të raporteve të mira ndërqinjësore në rajon.
“Nga frytet spirituale dhe kontributet të cilat figura të larta përgjatë historisë sonë i kanë bërë, sot maqedonasit dhe gjuha maqedonase janë të shkruara në thesarin e popujve dhe gjuhëve botërore dhe askush s’ka dilema dhe askush më nuk e konteston. Vendimin e shoh si rindërtim të fqinjësisë së mirë me Serbinë dhe ardhmërinë e përbashkët dhe vepër që tregon se si duhet të ndërtohen marrëdhëniet në rajon drejt së ardhmes.”,- deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Seanca për pyetje deputetësh, ASh riaktualizoi problemet me shtetësinë
Deputetja e ASh-së, Ilire Dauti, pasi kritikoi qeverinë për menaxhimin me krizën, korrupsionin dhe politikat e jashtme, vuri në pah problemet me dhënien e shtetësisë, e që kryeministri vendosi t’i përgjigjet me shkrim.
“Çka ndodh me kërkesat e tyre të cilat ende, nuk kanë arritur të shqyrtohen atje apo shumë të tjera të cilëve iu kërkohen dokumentacion shtesë edhe pse ata hyjnë në kategorinë e qytetarëve të cilët kanë të drejtë të marrin shtetësinë nëpërmjet dispozitës kalimtare sepse kanë jetuar në territorin e Maqedonisë së Veriut para 8 shtatorit të vitit 91.”,- u shpreh deputetja e ASh-së, Ilire Dauti.
Digjitalizimi paralel me librat e shtypur
Deputetët e VMRO-së pyetën për digjitalizimin e plotë të librave në shkolla, që sipas ministrit të arsimit s’do lë anash edhe librat e shtypur.
“Përveç materialeve të printuara të kemi edhe material plotësuese digjitale për të gjithë nxënësit për klasën e katërt dhe për klasën e pestë dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka procesi I digjitalizimit. Mendojmë që në vitin e ri shkollor të gjitha procedurat të jenë të kompletuara.”,- theksoi ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.
Opozita theksoi edhe tentimet për fshehje të skandalit në vlerë prej 20 deri në 30 milion euro të DAP-it, që sipas kryeministrit Kovaçevski nuk duhet politizuar pasi që vijon procedurë parahetimore.
MERAL ISMAILI
