Botë

Ambasadorja amerikane në NATO: Aleanca është e shqetësuar për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perendimor

26.05.2022 15:26

Aleanca Veri-Atlantike është e shqetësuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor...

Aleanca Veri-Atlantike është e shqetësuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, thotë Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith. 
 
Ajo ka përsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në programin e “Partneritetit për Paqe“ të NATO-s.
 
“Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin e Kosovës në organizatat dhe institucionet evropiane apo euroatlantike. Ne besojmë se vendet duhet të kenë të drejtën të përcaktojnë bashkimin dhe anëtarësimin e tyre. Ne sigurisht që do të mbështesnim lëvizjen e Kosovës drejt programit të “Partneritetit për Paqe.”, ka thënë Smith.
 
Ambasadorja ka përkujtuar se vendimi për anëtarësimin e ndonjë vendi në këtë program, sikurse në vetë NATO-n, merret me konsensus të 30 vendeve anëtare. Pra, ky do të jetë një vendim që do të duhet të merret me konsensus nëse Kosova vendos të përpiqet të ecë drejt “Partneritetit për Paqe“, ka thënë Smith.
 
Në mars të këtij viti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një letre drejtuar presidentit amerikan, Joe Biden, kërkoi ndihmë për anëtarësimin e Kosovës në “Partneritetin për Paqe“, një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Europë. Qeveria e Kosovës tashmë  ka formuar edhe një grup punues për anëtarësimin në këtë organizëm . “Partneriteti për Paqe” ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s. Aktualisht, pjesë e “Partneritetit të Paqes” janë 21 shtete.