Maqedoni
Mickovski: Xhaferi synon incident sikurse të 27 prillit
27.05.2022 15:17
Kryetari i VMRO–DPMNE–së Hirstijan Mickovski akuzon kryetarin e parlamentit Talat Xhaferi...

Kryetari i VMRO–DPMNE–së Hirstijan Mickovski akuzon kryetarin e parlamentit Talat Xhaferi për sjellje primitive në kuvend i cili me mbështetjen e pushtetit tenton të ripërsërisë ngjarjet e 27 prillit. Mickovski thekson se s’do lejojnë një gjë të tillë dhe se deputetët e VMRO-së do të vazhdojnë me bllokimin aktiv në kuvend.
“Kryetari i Kuvendit, për fat të keq, është plot me primitivizëm dhe kjo rezulton me frustrime për të gjithë qytetarët, jo vetëm për ne që turpërohemi me ato veprime të pahijshme. Ai primitivizëm neverit por duhet të them se nuk është naiv sepse ai primitivizëm ka qëllimin e tij dhe ai qëllim është që të shkaktojë incident të ngjashëm me atë të 27 prillit. Por ata skenaristë dhe organizatorë duhet të dinë se VMRO-DPMNE-ja është me më shumë përvojë, më e organizuar dhe nuk e ka për qëllim ta vazhdojë këtë agoni në Maqedoni dhe prandaj do të vazhdojmë të sillemi me përgjegjësi në Kuvend.”, tha kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Kovaçevski: Deputetët të votojnë sipas kodit etik
Ndërkohë mësohet se kryetari i komisionit për çështje të mandatit dhe imunitetit Panço Minov më 6 qershor ka caktuar seancë ku do të flitet për incidentin në kuvend midis kryepartlamentarit dhe shërbimeve të kuvendit. Kryeministri fton deputetët e shumicës që të votojnë sipas kodit etik.
“Ata duhet të votojnë sipas dispozitave të kodit etik dhe në përputhje me ligjin dhe natyrisht në përputhje me qëndrimet e tyre pasiqë ata janë përfaqësues të popullit në kuvend.”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
VMRO–DPMNE paralajmëron ngritjen e interpelancës duke ftuar edhe partitë e tjera që të prononcohen. Aleanca për Shqiptarët pritet ta diskutojë brenda organeve partiake dhe më pas do ta thotë qëndrimin e saj, edhe pse në vazhdimësi ka kundërshtuar mënyrën e menaxhimit të kuvendit nga kryeparalmentari Xhaferi.
MERALE SIMAILI
