Maqedoni
Industria e mishit: Të ndihmojë qeveria ose nga 5 qershori rriten çmimet për 20%
27.05.2022 16:01
Nga 5 qershori, mishi i përpunuar në vend do të jetë 20% më i shtrenjtë nëse qeveria nuk plotëson nevojat e përpunuesve të mishit...

Nga 5 qershori, mishi i përpunuar në vend do të jetë 20% më i shtrenjtë nëse qeveria nuk plotëson nevojat e përpunuesve të mishit dhe nuk i vazhdon për gjashtë muaj masat ekzistuese për lirimin e 50% të taksës doganore për lëndët e para të importuara. Një paralajmërim të tillë e ka dërguar grupi për prodhimin e mishit dhe produkteve të mishit pranë Odës Ekonomike. Prodhuesit thonë se janë në pozitë të palakmueshme pasi mishi i importuar është pa doganë.
“Zyrtarisht do të paraqesim kërkesë në Qeveri për vazhdimin e masës edhe për 6 muaj. Ndryshe pas datës 5 qershor do të na duhet të rrisim çmimin e produkteve tona. Megjithatë, produktet vendase mund të bëhen edhe jokonkurruese me ato të huaja, gjë që mund të çojë në rënien e disa kompanive. Kjo do të thotë se nga njëra anë do të humbasim prodhimin vendas dhe nga ana tjetër do të humbim vendet e punës.”, tha Goce Trajçev, kryetar i grupit për përpunimin e mishit dhe produkteve të mishit.
Ata kërkojnë ndihmë nga nga Ministria e Ekonomisë, pasi friksohen se do të jenë të detyruar ti mbyllin fabrikat, apo objektet përpunuese, t'i zhvendosin në vendet fqinje ku ka një klimë të favorshme biznesi.
“Nga viti i ri e deri më tani çmimet e lëndëve të para janë rritur jashtëzakonisht shumë. Kështu, çmimet e grurit u rritën nga 400 euro për ton në 1200 euro, misri nga 300 euro për ton në 800 euro, çmimi i energjisë elektrike u rrit për 100 për qind, dhe është më e vështirë lidhja e kontratave, por dhe përmbushjen e kontratave tashmë të lidhura për dorëzimin e mishit të derrit të ngrirë. Shumë kompani nuk mundën të blinin sasitë e rëna dakord dhe dy kompani më të vogla u mbyllën.”, tha Vasko Ristovski nga Oda Ekonomike.
Nëse nuk marrin mbështetje nga shteti, bizneset thonë se dy mijë punonjës do të futen në pasiguri.
SEDAT SELIMI
