Botë
Sulmet ruse në Ukrainë, dhjetra të vrarë dhe të plagosur
27.05.2022 16:49
Dhjetë persona janë vrarë dhe 35 janë plagosur si rezultat i sulmeve nga raketat ruse kundër një baze të Gardës Kombëtare..

Dhjetë persona janë vrarë dhe 35 janë plagosur si rezultat i sulmeve nga raketat ruse kundër një baze të Gardës Kombëtare në distriktin Dnipro. Tri raketa janë lëshuar nga rajoni Rostov i Rusisë, shpëtimtarët po kalonin nëpër rrënoja për të kërkuar njerëz pasi u dëgjuan shpërthime,njoftojnë autoritetet lokale. Artileria ruse ka goditur edhe qytetin e Kharkiv-it për herë të parë pas dy javësh, pikërisht kur jeta në qytetin e dytë të Ukrainës po fillonte të kthehej në normalitet pasi trupat ruse u larguan nga qytetet dhe fshatrat e tij periferike. Nga këto sulme humbën jetën të paktën nëntë persona dhe 17 të tjerë u plagosën.
“Nuk ka logjikë për këtë, është thjesht terror kundër popullatës vendase, për të mbjellë panik dhe për të shkatërruar infrastrukturën kritike.Për dy javë ka qenë relativisht e qetë, tani papritur rusët rikthehen me sulme.”, tha guvernatori rajonal i Kharkiv, Oleh Synehubov.
Ukrainë, beteja të ashpra për Severodonetskun
Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar edhe në periferi të Severodonetsk-kut, rajon i cili është objektivi kryesor rus, ku trupat ruse po përpiqen të pushtojnë qytetin në rajonin Luhansk të Ukrainës. As këto beteja nuk kanë kaluar pa viktima.
“4 civilë janë vrarë deri më tani në Severodonetsk dhe qendra rajonale e qytetit po shkatërrohet nga artileria dhe avionët rusë. Trupat ruse u përpoqën të depërtojnë në Severodonetsk nga qytetet e afërta, Pur-divka dhe Shçedryshçeve, dhe sulmuan pozicionet ushtarake ukrainase.”, tha guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haidai.
Forcat ruse kanë bërë përparime sporadike kundër pozicioneve të vendosura në Donbas që kur Moska i përqendroi përpjekjet e luftës atje. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka thënë se Ukraina duhet të përballet me realitetin e situatës dhe të bisedojë me Rusinë për t’i dhënë fund kësaj lufte.
“Ka gjëra për të diskutuar me liderin rus. Po ju them se, unë dhe njerëzit e mi nuk jemi të etur të flasim me të, por ne duhet të përballemi me realitetin e asaj që po jetojmë. Çfarë duam nga ky takim? Ne duam jetën tonë të rikthehet në normalitet. Ne duam të rimarrim jetën e një vendi sovran brenda territorit të vet.”, tha Volodymyr Zelensky, president i ukrainës.
Moska dhe Kievi vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për ngecjen e bisedimeve të paqes. Kremlini thotë se negociatat me Ukrainën janë ngrirë dhe akuzoi Kievin për deklarata kontradiktore që Moska nuk i kupton.
“Negociatat janë ngrirë me vendimin e palës ukrainase. Në përgjithësi, udhëhësia e Ukrainës vazhdimisht bën deklarata që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Kjo nuk na lejon të kuptojmë plotësisht se çfarë dëshiron pala ukrainase.”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës Rus.
Zeleski thotë se është I gatshëm për bisedime paqësore por pa kushtëzime territorjale nga ana e Rusisë. Lufta ka hyrë na muajin e katërt duke lënë pas mijëra viktima, shumica e tyre janë civil.
FARIJE DAUTI BAKIU
