LSDM: 6 nga 7 të dyshuarit në “parcelat kriminale” janë në lidhje me VMRO-në?

28.05.2022 13:47

Ka reaguar LSDM lidhur me aferën “Parcela kriminale”....

Ka reaguar LSDM lidhur me aferën “Parcela kriminale”, ku sipas tyre janë përvetësuar rreth 1.6 milionë euro, dhe e gjitha kjo sipas tyre të çon te njerëzit e VMRO - DPMNE-së. 

“Gjashtë nga shtatë të dyshuarit në këtë aferë kriminale janë të lidhur ngushtë me VMRO - DPMNE-në dhe Mickoskin. Andaj Mickoski duhet të dalë para qytetarëve dhe të thotë se ku kanë përfunduar paratë e vjedhura nga “Parcelat Kriminale”? A kanë përfunduar 1.6 milionë euro për financimin e partisë së tij VMRO - DPMNE? Apo për të financuar fushatat e VMRO - DPMNE-së? A e përdori Mickoski skemën e njohur të mentorit të tij Nikolla Gruevski dhe përmes truprojës i fshehu gjurmët e pompimit të parave nga EVN, siç bëri Gruevski me parcelat në Vodno? Këto dyshime për të cilat po flasim bazohen në të gjitha informacionet që dolën në opinion se bëhet fjalë për një skemë kriminale” – u shreh Deputetja e LSDM- së,  Marija Georgievska.

Mickovski: Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin

Ndërkaq, kreu i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

“Besoj në prezumimin e pafajësisë, por gjithashtu kudo që do të dëshmohet faji, le të jetë edhe motra ime për krimin e bërë do të përgjigjet. Kjo vlen për të gjithë ata, jo vetëm që janë anëtarë të VMRO-së, LDSM, BDI apo Aleanca, cilido qoftë i përcaktuar politik apo i pa përcaktuar politik. Popullit i ka ardhur në maje të hundës nga funksionimi kriminal i disa individëve dhe pandëshkueshmëria e të njëjtëve”, tha  KryetarI i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Bëhet fjalë për shitjen e parcelave në rajonin e Dellçevës që i ka blerë EVN për më shumë se 1.6 milionë euro, ndonëse vlera e tyre në treg nuk i kalon 35.000 euro. Prokuroria e Shkupit ka hapur procedurë hetimore, pas raportimit të Drejtorisë së Policisë Financiare për shtatë të dyshuar, mes të cilëve dy menaxherë në Termocentralet EVN Maqedoni – Igor Gievski dhe Miroslav Mitrovski.

Sipas autoriteteve hetuese, ata kanë mashtruar Bordin e Drejtorëve të EVN-së për të blerë toka në rajonin e Dellçevës, në të cilat kompania ka synuar të vendos fotovoltaikë për prodhimin e rrymës nga energjia diellore. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)