Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, Xhelili: Mund të formohet shumicë më stabile parlamentare

28.05.2022 17:20

Mospërfillja e kërkesave të njëpasnjëshme të opozitës....

Mospërfillja  e kërkesave të njëpasnjëshme të  opozitës nga ana e pushtetit  për zgjedhje të parakohshme parlamentare  ka shkaktuar nervozizëm tek VMRO-DPMNE e cila në vazhdimësi paralajmëron krijimin të krizës politike, duke e bllokuar edhe punën e Kuvendit dhe Institucioneve tjera, deri në përmbushje të qëllimit të caktuar.

A i nevojiten vendit zgjedhje të parakohshme dhe a ofrojnë zgjedhjet edhe zgjidhje të problemeve   opinioni publik është i ndarë.

Sipas disa opinionistëve dhe njohësve të rrethanave polite në vend, RMV-së nuk i duhen zgjedhje të parakohshme, por ka të tillë që mendojnë  të kundërtën.

Analisti politik Zudi Xhelili konsideron se zgjedhjet e parakohshme mund të ofrojnë formimin e një shumice më stabile parlamentare.

“Me qenë se kemi bllokim nga ana e opozitës maqedonase, kemi nervozizëm në funksionimin e institucionit më të lartë të vendit Kuvendi, por edhe ka një sërë problemesh brenda në Kuvend, mendoj se Zgjedhjet e Parakohshme do të kishin qenë një zgjidhje për shkak se na duhet një stabilitet më i fuqishëm i brendshëm që të mund të ballafaqohemi me problemet eventuale që na presin drejt anëtarësimit të vendit në BE” – tha analisti politik, Zudi Xhelili.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, Xhelili: Çdo qeveri të garantojë ardhmëri europiane

Xhelili për TVM2 më tej shtoi se RMV edhe në këtë Samit të Bashkimit Europian nuk pritet që të marrë datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, dhe se bllokada bullgare do të vazhdojë, kjo sipas tij është edhe një argument tjetër se kjo Qeveri  nuk mund të ketë qëndrueshmeri.

“Nga pala bullgare vazhdimisht vijnë informacione se Maqedonia ende nuk i ka plotësuar të gjitha detyrimet që janë zotuar mes delegacioneve të të dyja vendeve, kjo do të thotë se nga ana e palës bullgare përsëri pritet që të jenë kategorik dhe ta pengojnë anëtarësimin e Maqedonisë në Unionin Europian” – u shpreh Xhelili.

Sipas Xhelilit me Zgjedhjet e Parakohshme RMV do të fitonte një Qeveri  me një shumicë stabile parlamentare, por nga ana tjetër edhe ajo Qeveri duhet të zotohet se në afat sa më të shpejtë do të tejkalojë dallimet me Bullgarinë dhe se do të vazhdojë rruga eurointegruese e vendit. (Fitim Kryeziu, TVM2)