Vazhdon tmerri në Francë, 3 sulme në 24 orë

08.01.2015 15:18

Franca përjetoi një 24 orësh të tmerrshëm, ku vetëm pas sulmit makabër të ditës së mërkurë kundër javores satirike franceze, “Charlie Hebdo”, mëngjesin e ditës së enjte e shënuan edhe dy sulme tjera po në Paris me një viktimë tjetër...

Sulmi i parë ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit, ku dy policë u qëlluan, njëri nga ata femër, e cila nuk i mbijetoi plagëve. Vetëm dy orë pas kësaj ngjarje, një shpërthim u dëgjua në një lokal pranë një xhamie në një qytet lindor francez.

Ministri i Brendshëm i Francës, i cili menjëherë i ka vizituar vendet e ngjarjeve, u tha mediave se sulmuesit ende nuk dihen.

Kryeministri i Francës, Manuael Valls, tha se disa njerëz janë arrestuar dhe janë mbajtur gjatë natës, duke shtuar se vëllezërit e dyshuar Kouachi, që janë të lindur në Paris, ishin përcjellë edhe para sulmit.

"Unë kam rastin të ju kujtoj këtu sot që shtypi të jetë veçanërisht i kujdesshëm në lidhje me transmetimin e informacionit që mund të vë në rrezik punën. Informacionet janë të lira, pyetjet janë të ligjshme, por ju bëj thirrje të gjithëve që të jeni të përgjegjshëm”- deklaroi kryeministri i Francës, Manuel Valls.

Sulmet vijnë një ditë pasi 12 njerëz u masakruan në zyrën e revistës satirike, “Charlie Hebdo” në Paris, mes të cilëve 8 gazetarë, 2 policë, një recepsionist dhe një i ftuar, ngjarje kjo e cila ende nuk është ndërlidhur me dy sulmet e sotme.

Lidhur me masakrën e djeshme, policia ka identifikuar dy autorët e dyshuar si vëllezërit Said dhe Cherif Kouachi, respektivisht 34 dhe 32 vjeç, me origjinë algjeriane, ndërsa i dyshuari i tretë, Hamyd Mourad, 18 vjeçar, sot herët në mëngjes iu dorëzua policisë.

Në Francë flamujt janë ulur në gjysmështizë, ndërsa presidenti Hollande shpalli një ditë zie kombëtare në përkujtim të viktimave. Me një minutë heshtje u solidarizuan shumë vende të botës, si dhe institucione të rëndësishme, si Parlamenti Evropian, kryetari i të cilit, Martin Shulc, tha se Evropa asnjëherë nuk do të heq dorë nga vlerat e demokracisë dhe lirisë së shprehjes.

Supozohet se ky ishte sulm i militantëve islamistë, ndërsa vlerësohet se ky ishte sulmi më vdekjeprurës në Francë për dekada. (Leunora Kaliqi, TVM2)