Lëvizja “BESA”: Tetova vendi i dytë më i ndotur në botë
Lëvizja “Besa” shpreh shqetësimin e saj për ndotjen e ajrit në qytetin e Tetovës....

Ata vlerësojnë se ndotja e ajrit në këtë qytet ka kaluar çdo kufi të normales, e cila, sipas tyre, pas qytetit Ahvaz në Iran, Tetova gjendet në vendin e dytë si vend më i ndotur në botë. Ata kërkojnë mbylljen e Kompanisë “Jugohrom” deri në plotësimin e standardeve ekologjike dhe instalimin e filtrave mbrojtës.
“Me këtë rast duhet të theksojmë edhe se mbi 300 ditë të vitit 2014 ndotja ka qenë mbi nivelin e lejuar. Këto grimca sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) janë grimcat që hyjnë në grupin e parë që shkaktojnë drejtpërsëdrejti kancer në mushkëri dhe si pasojë, numri i të vdekurve nga kanceri i mushkërive në Tetovë është shtuar dukshëm”- deklaroi Rexhep Mehmedi nga Lëvizja “Besa”.
Lëvizja “Besa” madje kërkon nga ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi, që në shenjë të përgjegjësisë politike dhe morale të japë dorëheqje të parevokueshme, ndërsa nga qeveria kërkojnë urgjentisht ta detyrojë “Jugohromin” që të vendosë filtra, ose njëherë e përgjithmonë ta mbyllë këtë fabrikë. (Rexhep Qamili, TVM2)
