Atletico një tjetër leksion Realit

08.01.2015 15:35

Kampioni i Spanjës, Atletico Madrid, e ka nënshtruar kampionin Evropian dhe Botëror, Real Madridin me 2-0, në ndeshjen e parë të të tetës së finales në Kupën e Mbretit...

Sa u përket formacioneve, në këtë derbi nuk u inkuadrua nga minuta e parë Cristiano Ronaldo, me ç`rast u angazhua në pjesën e dytë, ndërsa për Los Rojiblancos nga fillimi debutoi i kthyeri Fernando Torres.

Gjysma e parë ishte një luftë e të dyja skuadrave gjatë të cilës nuk munguan shanset, por rrjetat heshtën.

Oblak u detyrua të intervenonte në goditjen e Sergio Ramos, ndërkohë që edhe Keylor Navas bëri disa pritje.

Në gjysmën e dytë Ramos e mbajti në zonë Raul Garcian dhe e rrëzoi. Arbitri nuk hezitoi të shënjonte në pikën e bardhë. Vet Garcia mori përgjegjësinë dhe u tregua i saktë në ekzekutimin e penaltisë, në minutën e 58-të. Më pas, goli i dytë i vendasve ishte i thjeshtë.

Pas një harkimi nga këndi, Jose Gimenez e mposhti Navasin me kokë. Ky rezultat mbeti I pranishëm deri në fund të ndeshjes dhe tani e favorizon Atletico Madridin për të shkuar në çerekfinale, mirëpo gjithçka mund të ndodhë në ndeshjen e kthimit, meqë Real Madridi luan para tifozëve në Santiago Bernabeu.