Kacarska në takim me kreun shtetëror, kërkohet plotësim i vendeve të lira të gjykatësëve

30.05.2022 17:30

Mungesa e gjykatësve kushtetues....

Mungesa e gjykatësve kushtetues dhe puna tejet e vështirësuar për shkak të mungesës së tyre, ishin ndër pikat kryesore të diskutimit mes Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska dhe Presidentit, Stevo Pendarovski, Kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

Kacarska informoi ata se kjo gjykatë po përballet me vështirësi të shumta gjatë funskonimit të saj.

U tha atyre se në këtë gjykatë aktualisht ka vetëm 5 gjykatës, ku njëri prej tyre në nëntor i përfundon mandati, ndërsa duhet të jenë së paku 9 gjykatës, thotë Kacarska.

“Në rast të një situate të pafavorshme ku ne do të duhet të konstatojmë ndalesën e funksionimit të Presidentit të vendit, ti merret imuniteti i tij, ose në rast se do të duhet të zgjidhet kryetar i ri i Gjykatës Kushtetuese kjo do të jetë e pa mundur, sepse nevojiten së paku 6 gjykatës, ndërsa aktualisht ne kemi vetëm 5. Funksionojmë  në kufi të kuorumit, ndërsa interesi i qytetarëve duhet të jetë në plan të të parë dhe i njëjti duhet të jetë i mbrojtur, sepse ata presin institucione stabile. Shumë persona janë të prekur në lëndet të cilat stërzgjaten, si për shembull ligji për mbrojtje sociale, ligji për prokurorinë publike, ligji për tatimet, dhe shumë vendime me të cilët kontestohen plane urbanistike. Problemi ynë është në dëmë të qytetarëve tanë, ndërsa i njëjti prish reputacionin e shtetit” – u shpreh Kryetarja e   Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.

Pas përfundimit të takimit asnjëri prej të ftuarëve të kreut shtetëror nuk u prononcua rreth kësaj çështjeje.

Kacarska thotë se nëse deri në dhjetor të këtij viti nuk kompletohet ekipi i gjykatësve kushtetues, atëherë kjo gjykatë do të jetë tërësisht e bllokuar dhe vendi do të përballet me krizë Kushtetuese.

“Unë shpresoj shumë se nuk do të vihemi në një situatë të tillë. Në përputhje me kompetencat dhe pesha e funksioneve të cilat ata bartin në shtet, unë pres që ata të angazhohen maksimalisht dhe të ndërmarrin masa urgjente për tejkalimin e kësaj situate”- deklaroi Dobrilla Kacarska.

Takimi në fjalë u inicua nga Kryetarja e Gjyatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska e cila tha se do të vazhdojë të jetë e hapur për mediat për të treguar gjendjen aktuale të kësaj gjykate.

Kacarska tha se do të angazhohet edhe për përmirësimin e kushteve,  finansimin e pavarur të kësaj gjykate edhe për vendosjen e padisë së re kushtetuese me të cilën do të shmangen gjykimet e qytetarëve në Strazbur dhe  e cila do të jetë shumë më lirë për ta.(Rexhep Qamili, TVM2)