Sëmundja e mistershme sakatos fermën e dhenve në Sopot

08.01.2015 15:47

Një sëmundje tash për tash e mistershme po mbyt delet e fermës së Sherif Limanit nga fshati Sopot i Kumanovës...

Nga gjithsej 1.100 dele sa kishte në fermën e tij, madje 400 ia ka mbytur sëmundja e mistershme, të cilën s’po munden ta zbulojnë as veterinerët nga Stacioni i Veterinarisë në Kumanovë.

Pronari, Sherif Limani, thotë se gati çdo ditë kjo sëmundje e mistershme ia mbyt nga 10-15 dele, duke mos mundur assesi të zbulohet se për çfarë sëmundje bëhet fjalë. Kurse nga ana tjetër i është shkaktar një dëm material prej mbi 40 mijë euro.

Ndërkaq, bariu i kësaj ferme, Xhevat Demirovski, thotë  se mbi 30 vjet punon si bari, por se një gjë të këtillë nuk e ka përjetuar.

“Mbi 30 vjet punoj si bari nga të cilat 15 në fermën e Sherifit. Kjo që po ndodh në fermën e tij është e paparë. Habit fakti se as punonjësit e veterinarisë nuk mund të bëjnë asgjë për ta parandaluar këtë. Delet e kësaj ferme rregullisht janë vaksinuar, por s’po mundemi ta ndalim zhdukjen masive të dhenve dhe dhive”- u shpreh  Demirovski.

Ndërkohë, fermeri, Sherif Limani, apelon tek institucionet përkatëse shtetërore t’i dalin në ndihmë sa nuk është asgjësuar e tërë ferma e tij.(Nexhati Aqifi, TVM2)