Botë
Ukrainë, betejë e ashpër në Severodonjeck
31.05.2022 11:42
Trupat ushtarake ruse i janë afruar edhe më shumë qendrës së qytetit lindor ukrainas, Severodonjeck....

Trupat ushtarake ruse i janë afruar edhe më shumë qendrës së qytetit lindor ukrainas, Severodonjeck. Luftimet lagje për lagje kundër forcave ukrainase, kanë shndërruar qytetin në gërmadha. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se situata në rajonin lindor, Donbas, është “jashtëzakonisht e rëndë”, pasi Rusia ka angazhuar forcën më të madhe ushtarake atje.
“Situata në Donbas është shumë e rëndë. Ushtria ruse është duke tentuar të mbledhë forcat në zona të caktuara për të rritur presionin ndaj mbrojtësve tanë. Në Donbas është mbledhur e gjithë forca e ushtrisë ruse”, ka thënë Zelensky.
Inteligjenca britanike ka konfirmuar më 31 maj se janë duke vazhduar bombardimet në këtë qytet, dhe se luftimet nëpër rrugë besohet se janë duke ndodhur në hyrje të qytetit.
“Përparimi ka qenë i ngadalshëm, mirëpo fitore janë arritur”, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes në raportin e saj ditor, duke shtuar se synimi politik i Moskës duket se është kontrollimi i gjithë rajoneve Donjeck dhe Luhansk.
