Maqedoni
Zjarri në fabrikën “Pofix”, dëme të mëdha, punëtorët nuk do të humbin punën
31.05.2022 13:49
Dëmet janë miliona euro nga zjarri që kaploi mëngjesin e djeshëm fabrikën “Pofix”...

Dëmet janë miliona euro nga zjarri që kaploi mëngjesin e djeshëm fabrikën “Pofix”. Pronari tha se edhe përkundër dëmit, punëtorët nuk do të humbin vendin e tyre të punës. Dyshimet e para për zjarrin janë nga reshjet e fundit të shiut, që kanë depërtuar në instalimin e rrymës dhe të makinave. Sipas pronarit, zjarri ka filluar pasi punëtorët kanë aktivizuar makinat.
“Ju faleminderit të gjithë popullit që na kanë ndihmuar. Nga shiu që ra para disa ditësh, janë ndezur makinat, prej aty ka filluar. Kemi shumë dëme, ende nuk i kemi bërë llogari. Punëtorët do të punojnë, nuk do t’i lirojmë nga puna, ata janë familja jonë. Ata duhet të pastrohen, të rregullohen, brenda 15 ditëve deri në një muaj do të futet në funksion fabrika.”,- deklaroi pronari i kompanisë Pofix.
Zëvendës-kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, tha se bashkë te gjithë do angazhohemi që të sanojmë dëmin që është shkaktuar nga zjarri.
“Çfarë të themi, është një fatkeqësi që i ka ndodhur një biznesi prej bizneseve më të mëdha në Maqedoni, fati është që nuk ka viktima në njerëz, ka dëme të mëdha materiale. Ne themi se gjithë bashkërisht do mundohemi ti sanojmë dhe mendoj që ky ishte një rast i cili në fakt duhet të jetë si mësim për gjithë të tjerët, sepse duhet të jemi bashkë edhe në kohëra kur të bëhen investime edhe në kohëra të vështira.”,– deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytiqi.
I pari i Tetovës falënderoi të gjithë zjarrfikësit nga i gjithë vendi të cilët erdhën për t’i ndihmuar tetovarët dhe parandaluan më të keqen.
“Sot përfundimisht duhet të pastrohen të gjitha ato mbetje të zjarrit, ose vatra eventuale të zjarrit. Sot shihet se puna e djeshme e pa lodhshme e zjarrfikësve nga e gjithë Maqedonia e Veriut dhe këtu më lejoni të falënderoj të gjithë ekipet e zjarrfikësve që bashkë me kolegët e tyre arritën që zjarrin ta mbajnë nën kontroll dhe të parandalojnë më të keqen.”,- theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami
Përndryshe, ajri në Tetovë pas zjarrit dhe tymit është i ndotur. Këtë e tregojnë grimcat PM10 të cilat në qytetin e Tetovës janë 43, që rekomandon që qytetarët pa nevojë të mos lëvizin jashtë.
VISAR SADIKU
