Maqedoni
Nesër skadon afati i masave anti–krizë, qytetarët në panik, kërkojnë të mos rriten çmimet
31.05.2022 14:12
Prej nesër skadon afati i masave anti-krizë të cilat mundësuan që produktet bazë të shiten me 0% TVSh....

Prej nesër skadon afati i masave anti-krizë të cilat mundësuan që produktet bazë të shiten me 0% TVSh. Kjo ka ngjallur panik te qytetarët. Ata frikësohen se tani me mos-intervenimin në çmimin e produkteve, ato mund të rriten në mënyrë drastike. Qytetarët e anketuar nga TVM2 bëjnë apel deri te politikanët që të jenë të përgjegjshëm dhe të parandalojnë rritjen enorme të çmimeve, që sipas tyre do të sillte pasoja të mëdha për ekonomitë familjare në vend.
“Produktet janë të rritura maksimalisht. Si duket do të arrijnë tavanin. Pasi nuk ka kufi, atëherë sigurisht edhe rritja e çmimeve do të jetë maksimale.”,- theksoi një qytetar i anketuar.
“Kriza thellohet më tepër në popullatë. Sipas standardit çmimet janë të shtrenjta, sipas rrogës që marrin qytetarët artikujt janë të shtrenjtë.”,- theksoi një qytetar i anketuar.
“Në këtë shtet nuk merret vesh. Herë rriten, herë zbresin. Më shumë janë duke i rrit çmimet se sa duke i ulë.”,- theksoi një qytetar i anketuar.
“E lexova edhe atë që mishi, buka, vezët të gjitha po rriten, por populli prej kësaj lëkure s’ka ku shkon. Mirëpo qeveria, sidomos partitë tona kryesore duhet të intervenojnë. Më shumë s’di çfarë të them, për ato që s’kanë, katastrofë.”,- u shpreh një qytetar i anketuar.
Me qëllim të zbutjes së rritjes së çmimeve, Kuvendi në mars i miratoi masat anti-krizë të propozuara nga qeveria me të cilat u ul TVSh-ja për produktet bazë si mishi, vezët, buka, mielli tip 400, vaji për gatim,sheqeri dhe orizi nga 5 në 0%.
ERSAN PAJAZITI
