Bota dhe të gjitha fetë i dënojnë sulmet në Paris
Menjëherë pas tre sulmeve brenda 24 orëve të realizuara në Paris, ku numri i viktimave shkoi në 13, në të gjithë Francën popullata u grumbullua spontanisht në shenjë bashkimi për mbrojtje të idealit të paqes....

Presidenti, Fransoa Holand, tha se populli francez dëshmoi i bashkuar se është popull i paqes në fytyrën e atyre që pretendojnë për të arritur paqen nëpërmjet vrasjes së njerëzve.
“Franca u sulmua në zemrën e saj, në kryeqytet, në një vend ku frymoi shpirti i lirisë dhe rezistencës. Ky mobilizim kundër turpit dëshmon dominimin e paqes në vendin tonë”- tha kryetari i Francës, Francois Hollande.
Telegrame ngushëllimi dhe mbështetje nga të gjitha vendet demokratike janë dërguar për viktimat, familjarët e tyre, kreun e Francës dhe tërë popullit francez. Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, e ka quajtur këtë atentat si një "sulm të tmerrshëm dhe skandaloz".
Kryetari i Parlamentit Evropian ka nënvizuar se "lufta kundër të gjitha formave të terrorizmit duhet të vazhdojë”. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e quajti këtë një "sulm ndaj mendimit të lirë dhe lirisë së shtypit, që janë elementet themelore të kulturës sonë të lirë dhe demokratike. Ky është një sulm i cili nuk mund të justifikohet me asgjë”.
Sulmin në Francë e ka dënuar edhe Rusia. Shefi i Çështjeve Fetare në Turqi, Mehmet Gormez, e përshkroi sulmin si “johuman” dhe e cilësoi si akt barbarë që s’mund ta kryen një njeri me besim.
“Si ndjekës të Islamit, të cilët paqen e kanë vlerë prioritare, shpreh keqardhjen time të thellë. Vrasësit nuk mund të jenë ndjekës të ndonjë feje. Të gjitha fetë synojnë të mbajnë gjallë jetën"- deklaroi prof. dr. Mehmet gormez.
Organizata “Reporterët pa Kufij” e ka quajtur ditën e sulmit si një "ditë të zezë për lirinë e shtypit në Evropë". Edhe shoqatat myslimane në Gjermani e kanë dënuar këtë sulm dhe e kanë quajtur si "absolutisht të papranueshëm". Edhe këto shoqata paralajmërojnë nga rreziku i keqpërdorimit të këtij sulmi për ashpërsimin e retorikës ndaj të huajve në Evropë.
“Tani ne duhet të qëndrojmë së bashku për të bërë të qartë se vepra e tyre në asnjë mënyrë nuk është lloj ndëshkimi, por është akt i turpshëm për fenë tonë. Ky është sulm mbi shoqërinë tonë evropiane”- theksoi kryetari i Qendrës Këshillimore Myslimane në Gjermani, Ayman Mazyek.
Edhe autoritetet qeveritare dhe popullata, pa dallim feje apo etnie, në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri e dënua këtë akt terrorist, duke e cilësuar si tragjedi të rëndë.
Në rrjetet sociale njerëzit nga e mbarë bota dënojnë ashpër sulmin ndaj gazetës satirike në Paris dhe solidarizohen nën moton "me ty Charlie". (Leunora Kaliqi, TVM2)
