Kuvend, kryeparlamentari Xhaferi merr interpelancën

31.05.2022 15:14

Kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi....

Kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, mori interpelancën e ngritur nga grupi parlamentar i VMRO–DPMNE–së. Nga kabineti i Xhaferit njoftojnë se interpelanca do të vi het në rend dite sipas rregullores, pas dy javëve.

Interpelanca vihet në rend dite në seancën e parë të radhës, pas skadimit të 15 ditëve nga dorëzimi i përgjigjes tek deputetët.

Nëse përgjigja nuk dorëzohet në afat prej 15 ditëve të paraparë në nenin 46 të rregullores, interpelanca vihet në rend dite në seancën e parë të radhës.”,- thuhet në komunikatën e kabinetit të kryeparlamentarit.

Sipas nenit 49 të rregullores, shqyrtimi i interpelancës zgjatë një ditë, derisa të gjithë deputetët e paraqitur marrin fjalën.

VMRO: Mos të shtyhet seanca për interpelancë

Nga VMRO–DPMNE ftojnë kryeparlamentarin të mos e prolongojë seancën ndërkaq deputetët e shumicës të tregohen racional gjatë votimit.

“Presim që ta vë në rend dite sa më shpejtë të jetë e mundur dhe ftoj deputetët e shumicës të tregojnë një nivel më të lartë të kulturës politike dhe të mbështesin interpelancën me qëllim që Talat Xhaferi të mos jetë më kryetar i kuvendit, pasi ngjarjet periudhën që shkoi dëshmojnë se me një sjellje të tillë ai njeri nuk e meriton këtë funksion.”,- theksoi deputeti i VMRO–DPMNE-së, Bojan Stojanoski.

Mbështetje ndaj interpelancës do të japin edhe dy deputetët e Së Majtës. Pakënaqësi ndaj punës së kryeparlamentarit kanë shprehur edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Deputetët e shumicës, të LSDM-së dhe BDI-së disa here i kanë dalë në mbështetje kryeparlamentarit duke hedhur dyshime në largimin e Xhaferit nga detyra.

Deputetët e VMRO–DPMNE–së ngritën interpelancë me arsyetimin se kryetari i parlamentit ka shkelur rregulloren dhe ligjet, së fundmi edhe me mbylljen e deputetëve në sallën ku mbahen seancat plenare. (Meral Ismaili, TVM2)