Sh. M. “Cvetan Dimov” organizon ditë të hapur, nxënësit të zgjedhin drejtimet profesionale

31.05.2022 15:39

Shkollat profesionale ofrojnë perspektivë të ndritur.....

Shkollat profesionale ofrojnë perspektivë të ndritur për rininë. Kjo u potencua në kuadër të ditës së hapur të Shkollë së Mesme “Cvetan Dimov”, të organizuar për informimin e semi-maturantëve për profilet që ofrohen nga kjo shkollë.

Nxënësit ftuan bashkëmoshatarët e tyre që  të përzgjedhin këtë shkollë që ofron profile atraktive.

“Me këtë drejtim mundet të punësohemi në banka, në institucione financiare, ndërmarrje tregtare prodhuese etj.”,- u shpreh një nxënës.

“Semi-maturantëve iu kisha sugjeruar që të zgjedhin drejtimin teknik juridik, sepse në të ardhmen mund të bëhen gjykatës, noterë, prokurorë.”,- theksoi një nxënës. 

Numri një  i dikasterit të arsimit, Jeton Shaqiri,  potencon se bazuar në fushatën që po realizohet interesimi do të rritet për shkollat profesionale, ndërsa drejtimet që ofrohen janë atraktive për tregun e punës.

“Mua më gëzon fakti që nëse ka pasur 11 paralele duale këtë vit kemi më shumë se trefishin e paraleleve duale para dy viteve. Por, marrëveshjet  e kompanive janë katërfishuar në lidhje me shkollat e mesme profesionale, por shoh edhe që interesimi nga viti i kaluar në këtë vit do të jetë më i lartë, këtë vit kemi pas fushatë më të mirë, unë pres që këtë vit numri i regjistrimit të nxënësve në këtë drejtime të  jetë shumë i lartë.”,- deklaroi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.

“Në drejtimet ekonomike, juridike dhe tregti janë teknik ekonomik , biznes administratë shitës dhe paralel në gjuhën turke. Te drejtimet  e mjekësisë kemi motra infermierë, teknik farmaci, teknik dhëmbësh si dhe risia për këtë vit është se do të ketë paralele turke për infermierë.”,- u shpreh drejtori i Sh. M. “Cvetan Dimov”, Visar Durak.

Arsimi profesional e merr vleftën e vet, në veçanti në kyçjen  e mësimit përmes punës, ku rëndësi të veçantë ka edhe praktika, sepse nxënësit që të jenë të përgatitur për tregun e punës, ata përveç aspektit teorik do të jenë shumë më të përgatitur me atë praktikë.”,- u shpreh drejtori i Qendrës për Arsim Profesional, Sherif Miftari.

“Jam i bindur që së bashku me stafin edhe në të ardhmen do të ketë investime për kushte më të mira për nxënësit por edhe për mësimdhënësit që duhet të shpërndajnë diturinë te nxënësit tanë.”,- tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Regjistrimet në shkolla të mesme fillojnë më 14 qershor dhe për herë të parë regjistrimi do të bëhet online. (Flutura Latifi, TVM2)