Maqedoni
Kontesti me Sofjen, pritet takimi Petkov-Makron, Petkov: Zgjidhje vetëm në Parlamentin bullgar
31.05.2022 16:00
Shefi i ekzekutivit bullgar Petkov dhe kryetari i shtetit Radev do të udhëtojnë së shpejti për në Paris...

Shefi i ekzekutivit bullgar Petkov dhe kryetari i shtetit Radev do të udhëtojnë së shpejti për në Paris për të takuar kryeministrin Makron, shkruajnë mediat bullgare. Sipas burimeve mediatike, takimi është thirrur për të biseduar për tërheqjen e veto-s bullgare, për çka Makron ka një propozim, i cili u paralajmërua edhe nga pjesëmarrësit në takimin e fundit të koalicionit të partive bullgare.
Petkov nuk jep detaje nëse do të ketë një takim të këtillë me autoritetet franceze, por thotë se tema është në duart e diplomatëve. Dy ministritë e jashtme janë vënë në aktivitet për të gjetur gjuhë të përbashkët në tejkalimin e dallimeve, thotë ai, i cili sërish potencon se marrëveshja eventuale e arritur, nuk do të pranohet pa kaluar filtrat e parlamentit bullgar.
“Për momentin e di se përgatitet punë e madhe në nivel të ministrive të punëve të jashtme, që të shihet se cilat janë mundësitë për përparim me Maqedoninë e Veriut. Por, para kësaj duhet të arrihet në ndonjë ide të përbashkët, në bazë të së cilës mund të shkohet përpara. Çfarëdo lloj zgjidhjeje do të duhet të kalojë në parlamentin bullgar. Kjo është instanca e fundit. E di se punohet shumë, por të shohim se deri ku do të mbërrimë.”,- deklaroi kryeministri, Kiril Petkov.
Historiani Georgiev: Politika, anash historisë së dy shteteve
Dragi Georgiev kërkon ndarjen e politikës nga historia në kontestin maqedono-bullgar. Nuk mund të bisedojmë për të ardhmen duke u kthyer në të kaluarën, thotë historiani Georgiev.
“Historia duhet të ngelet jashtë procesit politik në bisedimet mes dy shteteve. Do të ishte e vështirë të gjendet zgjidhje nëse politika dhe historia inkorporohen.”,- tha bashkëudhëheqësi në komisionin historik, Dragi Georgiev.
Agjencia bullgare e lajmeve BGNES shkruan se Sofja ka marrë garanci nga Parisi për përfshirjen e të gjitha kërkesave bullgare në kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, dhe se implementimi i saj do të mbikëqyret nga vet Makroni. Pritet që diplomacia evropiane të ketë qëndrim më të saktë për kontestin maqedono-bullgar para se të mbahet samiti i rregullt i Këshillit të Bashkimit Evropian më 22 qershor në Bruksel.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
