Lufta në Ukrainë, Rusia përparon drejt Severodonetskut

31.05.2022 18:15

Trupat ushtarake ruse i janë afruar edhe më shumë qendrës....

Trupat ushtarake ruse i janë afruar edhe më shumë qendrës së qytetit lindor ukrainas, Severodonjeck. Luftimet lagje për lagje kundër forcave ukrainase, e kanë shndërruar qytetin në gërmadha.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, theksoi se situata në rajonin lindor, Donbas, është “jashtëzakonisht e rëndë”, pasi Rusia ka angazhuar forcën më të madhe ushtarake atje.

“Situata në Donbas është shumë e rëndë. Ushtria ruse është duke tentuar të mbledhë forcat në zona të caktuara për të rritur presionin ndaj mbrojtësve tanë. Në Donbas është mbledhur e gjithë forca e ushtrisë ruse.”,- u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Moska pretendon se një e treta e Severodonjeckut “është nën kontrollin e saj. Ndërkohë raportohet se 12 mijë civilë kanë mbetur të bllokuar në këtë qytet, pa ushqim, ujë apo ilaç. Por, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjate vizitës në Bahreinn, premtoi kalim të sigurt të dërgesave të grurit për tejkalimin e krizës ushqimore, nëse Kievi pastron ujërat nga minat.

“Për situatën me ushqimin: sqaruam masat që pala ruse ka marrë për më shumë se një muaj, duke dhënë garanci për eksportin e papenguar të grurit ukrainas nga anijet e bllokuara në portet e Ukrainës. Marina ruse do të sigurojë kalim të sigurt për anijet që transportojnë grurë ukrainas nëse Kievi zgjidh problemin e pastrimit të ujërave bregdetare nga minat.”,- u shpreh ministri rus i punëve të jashtme, Sergei Lavrov.

Borrell në ditën e dytë të Samitit

BE-ja për të dytën ditë diskuton në samitin në Bruksel për krizën globale ushqimore dhe atë energjetike në Bruksel,e cila u përkeqësua për shkak të luftës në Ukrainë. Në këtë samit u diskutua edhe për sanksionet ndaj Rusisë e cila përfshin ndalesë të madhe në importet e naftës dhe gazit rus drejt BE-së

“Ne jemi klienti më i rëndësishëm për Rusinë. Qëllimi ynë është që të ketë më pak burime financiare për Rusinë që të ushqejë makinerinë e saj të luftës.”,- theksoi shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

BE-ja është klienti më i madh i Rusisë, Medvedev: Sanksionet të nxitura nga urrejtja

Medvedev tha se sanksionet e naftës dhe gazit synojnë tatimpaguesit dhe qytetarët.

“Vendosja e sanksioneve ekonomike nuk do të prekë elitën politike por popullin e Rusisë. Cili është qëllimi i sanksionimit të aseteve të Bankës Qendrore të Rusisë dhe pasurive të tjera shtetërore? E thjeshtë,për të përkeqësuar ekonominë, për të goditur rublën, për të rritur inflacionin dhe për të rritur çmimet në dyqane, që do të thotë ulje e standardit të jetesës për një qytetar rus të zakonshëm.”,- u shpreh ish presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev.

I vetmi vend i BE-së që është tërësisht e varur nga gazi rus është Holanda. Kompania ruse e energjisë “Gazprom” si hakmarrje ka njoftuar se ka ndaluar plotësisht dërgesat e gazit natyror në Holandë, me pretendimin se nuk e ka kryer pagesën me rubla ruse.

“Gazprom” më parë ndaloi dërgesat e gazit natyror në Poloni, Bullgari dhe Finlandë me  të njëjtin arsyetim se nuk kishin paguar në rubla. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)