Lufta në Ukrainë, Zelensky: Po humbim deri në 100 ushtarë çdo ditë

01.06.2022 12:49

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky....

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina është duke i humbur nga 100 ushtarë çdo ditë – derisa po vazhdojnë përpjekjet për të luftuar forcat ruse.

Zelenski tha se situata “më e vështirë” është në lindje të vendit – përkatësisht në Severodonetsk dhe Lysychansk.

“Situata në lindje është shumë e vështirë. Po humbim nga 60 deri në 100 ushtarë çdo ditë – dhe janë rreth 500 të plagosur në luftime. Megjithatë po ruajmë perimetrin tonë të mbrojtjes”, shtoi Zelensky.

Madje presidenti ukrainas ka këmbëngulur se raketat amerikane të dërguara në Ukrainë, nuk do të përdoren për të sulmuar brenda territorit të Rusisë.

“E di se disa njerëz në Shtetet e Bashkuara apo ata në Shtëpinë e Bardhë – po thonë se mund t’i përdorim ato për ta sulmuar Rusinë. Nuk planifikojmë të sulmojmë Rusinë. Nuk jemi të interesuar në Federatën e Rusisë, thjesht po luftojmë për territorin tonë”, shtoi Zelensky.

Ndërkohë, forcat bërthamore ruse po zhvillojnë stërvitje në provincën e Ivanovo, në verilindje të Moskës, thanë burimet, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes ruse.

Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës sisteme të avancuara raketore që mund të sulmojnë me saktësi forcat deri në 80 km larg.

Më shumë se 20,000 trupa ruse mund të jenë vrarë gjatë konfliktit në Ukrainë, tha gjenerali amerikan në pension, David Petraeus. Kjo, thotë ai, është shumë më tepër se humbja e nëntë viteve në Afganistan.